Botë
Sorensen takon udhëheqësit e Kosovës, përpjekje për ta çuar përpara dialogun me Serbinë
14.01.2026 12:02
Sorensen po qëndron në Kosovë....

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, po qëndron në Kosovë. Sorensen u takua fillimisht me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës herët në mëngjes. Më vonë, ai u prit nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në zyrën e saj.
Nuk janë paralajmëruar deklarime për media pas takimeve. Sorensen pritet të ketë takim edhe me opozitën kosovare më vonë. Pas takimeve në Prishtinë, Sorensen do udhëtojë drejt Beogradit për takime me udhëheqës të Serbisë. Vizita e tij në Kosovë vjen në një kohë kur vendi është në pritje të themelimit të institucioneve të reja shtetërore pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit. Kosova dhe Serbia veçse arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.
Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është e detyrueshme për të dyja palët. Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut 15-vjeçar.
