Maqedoni

Takimi i liderëve në klubin e deputetëve, BDI dhe E Majta në takim, mungon LSDM-ja

14.01.2026 12:20

Në klubin e deputetëve ka filluar takimi i liderëve me kryetarët e partive parlamentare që kanë grupe deputetësh në Kuvend.

Me iniciativë të kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në klubin e deputetëve ka filluar takimi i liderëve me kryetarët e partive parlamentare që kanë grupe deputetësh në Kuvend.
 
Siç është paralajmëruar, në takim do të diskutohet për ligjet reformuese në fushën e drejtësisë, mundësinë e shfuqizimit të Qeverisë teknike, zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, si dhe për tema të tjera që do t’i propozojnë pjesëmarrësit.
 
Nga partitë opozitare, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i së Majtës, Dimitar Apasiev. Ndërkohë, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e ka refuzuar ftesën për takim liderësh. Nga partitë në pushtet, Bilall Kasami do të jetë nga VLEN-i dhe Maksim Dimitrievski nga Lëvizja “E di”.
 
Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi në një konferencë për shtyp se nuk pranon bisedime për shfuqizimin e Qeverisë teknike, duke akuzuar se kryeministri po kërkon “alibi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme”. Sipas tij, Qeveria teknike duhet të mbetet si garanci për zgjedhje të ndershme dhe si mekanizëm për parandalimin e keqpërdorimit të institucioneve. Sa i përket ligjeve reformuese, ai theksoi se debati duhet të zhvillohet në Kuvend, ku LSDM-ja do të mbështesë çdo zgjidhje cilësore. Ai shtoi se partia do të marrë pjesë në zgjedhje parlamentare, nëse ato shpallen.
 
Nga E Majta u shprehën të gatshëm të pranojnë shfuqizimin e Qeverisë teknike, por me kusht që të vendoset një njësi e vetme zgjedhore. Deputeti Amar Mecinoviq konfirmoi se partia do të marrë pjesë në takimin e paralajmëruar të liderëve.