Maqedoni

Ekonomi, Koçoska: Ankand i suksesshëm për eurobondin

14.01.2026 14:14

Vendi ka arritur të zgjasë afatin e kthimit të euroobligacioneve me emetimin e fundit..

Vendi ka arritur të zgjasë afatin e kthimit të euroobligacioneve me emetimin e fundit, duke e lehtësuar procesin e servisimit të obligimeve të shtetit, deklaroi, ndër të tjera, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, në konferencën e sotme për shtyp, të mbajtur pas ankandit të djeshëm për emetimin e eurobondit të dhjetë. Ajo tha se vendi duhet të ndërtojë një strategji të re për shpërndarje optimale të obligimeve për shlyerjen e borxhit publik. 
 
“Në bazë të analizës së hollësishme të gjendjeve të tregjeve ndërkombëtare financiare, Ministria solli vendim detyrimi të realizohet përmes dy transheve prej nga 500 milionë euro, me afat skadimi prej 4 dhe prej 8 vitesh. Struktura e këtillë mundëson sistemim optimal të obligimeve me afat të mesëm dhe të gjatë, si dhe ulje plotësuese të rreziqeve lidhur me rifinancimin.”, - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska. 
 
Sipas saj, ky emetim ka rol të qartë në shpërndarjen e barabartë të afateve të maturimit dhe në uljen e rreziqeve që lidhen me përqendrimin e pagesave në vite të caktuara. Ajo tha gjithashtu se kushtet e interesit që shteti i siguroi me eurobondin e ri janë ndër më të volitshmet në rajon dhe më gjerë, gjë që e forcon edhe më tej pozitën e shtetit si emetues stabil, kredibil dhe konkurrues në tregjet financiare ndërkombëtare. Për të dy transhet e eurobondit është arritur marzhi më i ngushtë i interesit në raport me normën referente Euribori, krahasuar me të gjitha emetimet shtetërore në 20 vitet e fundit.
 
ERSAN PAJAZITI