Ekonomi
Ekonomi, strategji për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
14.01.2026 14:38
Durmishi paraqiti angazhimin e Qeverisë ndaj sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe mesme 2025-2030...

Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me zyrën e Bashkimit Evropian në Shkup kanë lansuar strategjinë nacionale për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe mesme 2025-2030. Me këtë rast, ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, paraqiti angazhimin e Qeverisë ndaj sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe mesme 2025-2030, vizionin e strategjisë për rritje të qëndrueshme, si dhe përputhjen e saj me objektivat kombëtare të zhvillimit ekonomik. Sipas ministrit Durmishi, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë rreth 99 për qind të të gjitha ndërmarrjeve dhe sigurojnë ekzistencën për ¾ e të punësuarve.
“Sot prezantuam strategji për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme 2025/2030, me të cilën përcaktojmë drejtim të qartë për përforcimin e konkurrueshmërisë, inovacionit dhe qëndrueshmërisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si shtylla bartëse e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut. Me strategjinë 2025/2030 krijojmë mjedis më të volitshëm dhe më të thjeshtë biznesi, qasje më të mirë deri tek financat dhe mbështetje më të fortë institucionale për inovacionet, transformimin digjital dhe tranzicionin e gjelbër.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Sipas ministrit Durmishi, qëllimi i Ministrisë dhe i politikave shtetërore janë që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të bëhen më rezistuese ndaj goditjeve ekonomike, të rrisin potencialin e tyre eksportues dhe të pozicionohen në mënyrë më konkurruese në tregjet rajonale dhe atyre evropiane.
“Ministria e Ekonomisë dhe e Punës do të koordinojë implementimin e strategjisë me partnerët dhe me të gjithë faktorët relevantë. Janë parashikuar mekanizma për monitorim dhe vlerësim të rregullt të progresit, me qëllim që masat të prodhojnë rezultate konkrete dhe të matshme në periudhën 2025/2030. Me këtë strategji dërgojmë porosi të qartë se shteti qëndron pas sipërmarrësve dhe bizneseve të vogla dhe të mesme.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
I pranishëm në këtë prezantim të strategjisë ishte edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, i cili theksoi mbështetjen financiare dhe teknike të BE-së, përmes planit të rritjes dhe fondeve IPA, rëndësinë e përafrimit me standardet e BE-së dhe qëllimin e përbashkët të integrimit në tregun e vendeve të BE-së.
FITIM KRYEZIU
