Rajon

Sorensen takoi udhëheqësit e Kosovës, paralajmëroi vazhdimin e përpjekjeve për ta çuar përpara dialogun me Serbinë

14.01.2026 15:07

Sorensen ka zhvilluar takime me kryeministrin e Kosovës në detyrë, Albin Kurti, dhe presidenten Vjosa Osmani në Prishtinë...

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar takime me kryeministrin e Kosovës në detyrë, Albin Kurti, dhe presidenten Vjosa Osmani në Prishtinë. Ai theksoi se synimi është që gjatë vitit 2026 të arrihen rezultate konkrete në dialog, që nuk u realizuan në vitin paraprak. Sorensen paralajmëroi vazhdimin e përpjekjeve për rifillimin e bisedimeve, si dhe një vizitë të ardhshme të përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas.
 
“Jam i lumtur që jam sërish në Kosovë. Kjo është vizita ime e parë e këtij viti. Urime për zgjedhjet, pres me interes që Kuvendi të konstituohet dhe Qeveria të formohet. Ne vazhdojmë të punojmë për çështjet e dialogut, me shpresën që viti 2026 të sjellë atë që 2025 nuk arriti ta japë. Pikërisht për këtë arsye e nisa vitin me një vizitë pune këtu dhe më pas në Beograd gjatë kësaj jave. Ajo që ne do të bëjmë është ajo që na kërkohet neve nga dialogu, të sigurohemi që të dy palët do të ulen dhe të bisedojmë. Ne duhet ta gjejmë një rrugë që ta bëjmë këtë. Përfaqësuesja e Lartë i ka vizituar edhe Prishtinën edhe Beogradin. Ajo ka theksuar se do të ketë një takim kur të jetë koha e duhur.”, - deklaroi i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.