Maqedoni
Ish-avokati i shtetit, Fehmi Stafa, mbetet në paraburgim
14.01.2026 15:26
Ish-avokati i shtetit, Fehmi Stafa, ndaj të cilit po zhvillohet hetim për marrje ryshfeti...

Ish-avokati i shtetit, Fehmi Stafa, ndaj të cilit po zhvillohet hetim për marrje ryshfeti, mbetet në paraburgim, pasi Gjykata Themelore Penale - Shkup i ka zgjatur masën e sigurimit të pranisë për 30 ditë të tjera.
Paraburgimi njëmujor i Stafës, i caktuar fillimisht, skadonte këto ditë, ndërsa zgjatja për 30 ditë të tjera u konfirmua këtë mëngjes nga Gjykata Penale. Stafa u arrestua më 13 dhjetor të vitit të kaluar, në kuadër të procedurës që kundër tij zhvilloi Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të marrjes së shpërblimit për ndikim të paligjshëm.
Sipas Prokurorisë, në periudhën nga tetori deri më 13 dhjetor, i dyshuari Stafa ka marrë gjithsej 50.000 euro për të ndërmjetësuar dhe për të ndikuar tek një gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkup lidhur me një rast që lidhej me klientin e tij, pra personin që ai e përfaqësonte si avokat. Qëllimi, sipas Prokurorisë, ishte të ndikonte përmes ryshfetit mbi kryerjen e një veprimi zyrtar që nuk duhej të kryhej. Menjëherë pas marrjes së parave, i dyshuari Stafa u arrestua dhe tek ai u gjetën dhe u sekuestruan mjetet monetare. Personi për të cilin ish-prokurori i shtetit duhej të siguronte heqjen e masës së paraburgimit është i dyshuari në rastin “Zinxhiri”, Ljupço Pecov, i njohur me nofkën “Djalli”.
