Takimi i liderëve, Mickoski takoi liderët, mungoi Filipçe
Kryeministri Hristijan Mickoski ka takuar liderët e partive politike...

Kryeministri Hristijan Mickoski ka takuar liderët e partive politike në përjashtim të kryesocialdemokratit Venko Filipçe, i cili ka zgjedhur të bojkotojë takimin.
Në takim ishin të pranishëm Bilall Kasami, Ali Ahmeti, Dimitar Apasiev nga E Majta, si dhe Goran Minçev nga Lëvizja “E di”.
Gjatë takimit treorësh, sipas Mickoskit, është rënë dakord për heqjen e Qeverisë teknike pas zgjedhjeve të rregullta të radhës. Zgjedhjet e parakohshme nuk janë hapur si temë, ndërkaq ligjet reformuese do të koordinohen në Kuvend.
“Ajo që për mua është momentalisht akute dhe që duhet të gjendet zgjidhje dhe mendoj që sot në këtë mbledhje arritëm të gjejmë kompromis, është Ligji për Kundërvajtje, që të mundet “Safe City” ose “Qyteti i Sigurt” të fillojë të funksionojë nga 1 shkurti, ashtu siç është paralajmëruar. Për miratimin e këtij ligji, që e ritheksoj që është 2/3, për të njëjtin nuk kemi nevojë për shumicë të Badinterit.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Për Bilall Kasamin nga koalicioni VLEN, Qeveria teknike do të duhet t’i kalojë së kaluarës, ndërkaq për modelin zgjedhor nuk kanë paraqitur qëndrim konkret, por kanë kërkuar përfshirje më të madhe të diasporës në votime.
Kryetari i integristëve, Ali Ahmeti, theksoi se Qeveria teknike do të hiqej vetëm pas konsultave me ndërkombëtarët, ndërkaq transformimi në një njësi zgjedhore do të pranohej me lista të hapura.
“Sa i përket Qeverisë teknike jemi që ajo zgjidhje e përkohshme të largohet me mundësinë që kjo të implementohet pas këtyre zgjedhjeve, pra të mos vlejë për këto zgjedhje, por të vlejë për zgjedhjet më pas. Po ashtu sa i përket debatit dhe diskutimeve që kanë të bëjë me kodin zgjedhor, duam që të shikohet mundësia që të ketë diaspora më shumë mundësi për të votuar, sepse ne vlerësojmë që diaspora është një kontribues i rëndësishëm i zhvillimeve, veçanërisht ekonomike në vend, po ashtu edhe mundësia që të kemi lista të hapura. Sa i takon temave që kanë të bëjnë me ligjet, sa i takon agjendës reformuese, ne ishim pro që ato ligje të votohen në Kuvend.”, - theksoi përfaqësuesi i Koalicionit VLEN, Bilall Kasami.
“Sa i takon Qeverisë teknike, qëndrimi ynë është që duhet të konsultohemi me bashkautorët e sjelljes së këtij ligji, BE-në dhe ShBA-në. Lidhur me çështjet të cilat gjithashtu kërkojnë zgjidhje, siç është avokati i popullit, me çka mbeti që koordinatorët e grupeve parlamentare të kërkojnë zgjidhje. Pajtohemi me një zonë zgjedhore me prag prej 5% dhe me lista të hapura. Gjithashtu disa pika të cilat unë kam menduar që t’i vë në këtë tryezë të komunikimit mbeten që në të ardhmen të zhvillohet një takim mes meje dhe Hristijan Mickoskit për t’i diskutuar dhe për të parë se çfarë zgjidhje mund t’i japim.”, - u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Të hapur për bashkëpunim janë shprehur edhe nga E Majta opozitare, por edhe Lëvizja “E di” pjesë e Qeverisë. Nga E Majta kanë kërkuar që ombudsmani të jetë nga komuniteti rom.
“Në parim jemi dakorduar që deri në fund të verës apo kah muaji qershor që të sillet modeli i ri zgjedhor, po ashtu janë diskutuar edhe modalitetet me një njësi zgjedhore, me apo pa prag zgjedhor lista të hapura apo të mbyllura. Tjetra ishte Marrëveshja e Përzhinos, për të cilën është biseduar për largimin e saj edhe atë në dy opsione. E para ishte që menjëherë të largohet, ndërsa opsioni i dytë ishte që ajo të largohet në zgjedhjet e dyta parlamentare kur do t’i kemi, varësisht prej disponimit të LSDM-së.”, - theksoi Dimitar Apasiev nga E Majta.
“Për Qeverinë teknike apo Qeverinë e Përzhinos, qëndrimi i Lëvizjes “E di” është i qartë, ajo duhet të largohet. Ajo zgjidhje ishte vendosur si zgjidhje e përkohshme dhe në një situatë specifike, dhe me një qëllim të qartë që të sigurohen zgjedhje të lira, fer dhe demokratike në kohë të krizës politike. Dhe ky qëllim është plotësuar që prej kohësh. Shteti tregoi se ka kapacitet institucional që të organizon zgjedhje të lira dhe demokratike.”, - u shpreh Boban Karapejovski nga Lëvizja “E di”.
Mungesën e tyre socialdemokratët e arsyetuan nëpërmjet një komunikate për media, duke thënë se pjesëmarrja e tyre në takim do t’i jepte mbështetje krimit, korrupsionit, regresit evropian, si dhe projektit për strehimin e migrantëve. (Meral Ismaili, TVM2)
