Rajon

Përkujtohet 27-vjetori i masakrës së Reçakut, Uallker nderon 45 shqiptarët e vrarë

15.01.2026 11:21

Në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë mësimore sot do t’i kushtohet 15 janarit të vitit 1999...

Në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë mësimore sot do t’i kushtohet 15 janarit të vitit 1999, masakrës së Reçakut. Po ashtu, do të ketë homazhe nga niveli komunal dhe shtetëror në varrezat e dëshmorëve dhe në kompleksin memorial në Reçak. 27 vjet më parë në Reçak të Shtimes, forcat serbe vranë dhe masakruan 45 civilë të paarmatosur, në mesin e të cilëve kishte gra, pleq e fëmijë.

Në varrezat e dëshmorëve në Shtime, homazhe ka bërë edhe ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, Uilliam Uallker. Kur Uallker pa trupat e të vrarëve, në prononcimin e tij të parë para mediave tha: “Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale ose atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm se një mizori e papërshkrueshme.”.
 
Ngjarja që ndodhi në këtë fshat të vogël ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës. Pamjet e masakrës së Reçakut tronditën botën. Nga ajo kohë filloi rritja e presionit ndërkombëtar mbi qeverinë serbe dhe Sllobodan Millosheviqin. Për disa javë rresht, forcat serbe mbajtën trupat e të vrarëve në Prishtinë. Në kohën sa trupat e të vrarëve ende nuk u ishin dorëzuar familjarëve, në Prishtinë u krijua delegacioni i Kosovës për bisedime me Serbinë me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Bisedimet u organizuan në Rambuje të Francës. Kjo ishte konferenca e parë ndërkombëtare që mbahej ndonjëherë për Kosovën. Pas dështimit të konferencës së Rambujesë, NATO-ja filloi bombardimin e caqeve ushtarake të ish-Jugosllavisë. Në arsyetimin e NATO-s u tha se operacioni po zhvillohej për të ndaluar abuzimin me të drejtat e njeriut në Kosovë.