Maqedoni
Kuvend, Qeveria Teknike dhe Avokati i Popullit në fokus
15.01.2026 14:55
Pas takimit të liderëve, zgjedhja e Avokatit të Popullit është e para në agjendë....

Pas takimit të liderëve, zgjedhja e Avokatit të Popullit është e para në agjendë. Kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, paralajmëroi se grupet parlamentare janë duke u koordinuar dhe deri në fund të javës mund të pritet të zgjidhet Avokati i Popullit, për të cilin janë të nevojshme votat me shumicë të Badinterit.
“Pres që sot të ketë takim të koordinatorëve në Parlament dhe të fillojnë punën për harmonizimin e ligjeve për të cilat janë marrë vesh t’i miratojnë sa më shpejt. Po ashtu, edhe për Avokatin e Popullit. Është e mundur që sot ose nesër të kemi një zgjidhje.”, - deklaroi kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.
Ndërkohë sa i përket çështjes së Qeverisë teknike, për të cilën palët në takim janë marrë vesh që e njejta të vlejë deri në zgjedhjet e ardhshme, LSDM, që refuzuan pjesmarrjen në takim insistojnë që Qeveria teknike të vazhdojë të mbetet.
“Së pari, ta sqarojmë se Qeveria e Përzhinës apo Qeveria Teknike është dhe do të mbetet kusht themelor për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike dhe normale, pasi në Maqedoni nuk ekzistojnë kushtet për këtë. LSDM do të vazhdojë, me të gjitha mjetet demokratike, të angazhohet që Qeveria teknike, përkatësisht Qeveria e Përzhinës, të vazhdojë të funksionojë brenda sistemit pozitiv juridik në Maqedoni.”, - theksoi Jon Fërçkovski nga LSDM.
Ndërkohë në pranverë pritet të ketë Kod të ri Zgjedhor, ndërsa do të shqyrtohet nëse vendi do të ketë model zgjedhor me një zonë zgjedhore, me lista të hapura apo të mbyllura apo nëse do të zbatohet pragu. Deri në fund të muajit grupet parlamentare duhet të dakordohen edhe për sa i përket Ligjit për Kundërvajtje, për të cilin është e nevojshme shumica e dy të tretave, në mënyrë që nga shkurti të fillojë të implementohet projekti “Qyteti i Sigurt”.
ERSAN PAJAZITI
