Kosova shënon 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, Osmani: Dëshmi e një regjimi gjenocidal të Serbisë

15.01.2026 15:26

Kosova po shënon 27-vjetorin e masakrës së Reçakut...

Kosova po shënon 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku më 15 janar 1999, në këtë fshat, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Me këtë rast u mbajtën homazhe dhe organizim aktivitetesh përkujtimore me rastin e 27-vjetorit të masakrës së Reçakut, ku 27 vjet më parë në Reçak të Shtimes, forcat serbe vranë dhe masakruan 45 civilë të paarmatosur, në mesin e tyre kishte gra, pleq e fëmijë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi këtë ngjarje si një nga dëshmitë më të rënda të krimeve të regjimit gjenocidal serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë.

“Në këtë 27-vjetor të masakrës së Reçakut, edhe njëherë përkujtojmë të gjitha viktimat e masakrës së llahtarshme, e cila sërish dëshmoi qëllimet shfarosjes që regjimi gjenocidal i atëhershëm i Serbisë kishte ndaj popullit të Kosovës. Reçaku dhe plagët e Reçakut akoma flasin, sepse dhimbja është po aq e freskët sa ishte para 27 vitesh. Dhimbja është e freskët për familjet, por në fakt është e freskët për të gjithë popullin e Kosovës, sepse akoma nuk ka pasur drejtësi për krimet që janë kryer këtu, por edhe në pjesë tjera të Republikës së Kosovës. Pas 27 vitesh Serbia vazhdon me po të njëjtat politika, e po të njëjtën mendësi, sepse mohimi që po bëjnë ata është krim i dyfishtë.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kurti: Pamjet e masakrës tronditën botën

Reçaku ishte dhe mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Para 27 vitesh, këtu nga Reçaku, nëpërmjet ambasadorit Uiliam Uallker, jehoi e vërteta për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit të Serbisë si shtet ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Pas masakrës së Reçakut u ndërgjegjësuan, u vetëdijesuan dhe u mobilizuan edhe opinioni politik ndërkombëtar edhe kancelaritë diplomatike perëndimore. Shprehim dhembjen tonë për këtë plagë të hapur, së cilës ende i mungon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë që gjithmonë do të jemi të angazhuar për të sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar ata për mizoritë të para 27 viteve.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ngjarja që ndodhi në këtë fshat të vogël ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës. Pamjet e masakrës së Reçakut tronditën botën. Nga ajo kohë filloi rritja e presionit ndërkombëtar mbi qeverinë serbe dhe Sllobodan Millosheviqin.

Bisedimet u organizuan në Rambuje të Francës. Pas dështimit të konferencës së Rambujesë, NATO-ja filloi bombardimin e caqeve ushtarake të ish-Jugosllavisë. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)