Botë

Brukseli, mbështetje për ishullin e Grenlandës

16.01.2026 13:48

Nga Shtëpia e Bardhë thonë se dërgimi i trupave evropiane në Grenlandë nuk do të ndryshonte qëndrimin e presidentit Tramp....

Nga Shtëpia e Bardhë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës thonë se dërgimi i trupave evropiane në Grenlandë nuk do të ndryshonte qëndrimin e presidentit Tramp mbi përvetësimin e ishullit.
 
"Nuk mendoj se trupat evropiane ndikojnë në procesin e vendimmarrjes së presidentit dhe as ndikojnë në qëllimin e tij për përvetësimin e Grenlandës.", - deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Levit. 
 
Ndërkohë Brukseli përsërit mbështetjen për ishullin, duke theksuar se siguria e Arktikut është një çështje kyçe për NATO-n, ndërsa trupa nga Franca, Gjermania, Suedia dhe Norvegjia zbarkuan në ishull në mbështetje të sovranitetit danez.
 
"Grenlanda mund të mbështetet tek ne politikisht, ekonomikisht dhe financiarisht. Dhe kur bëhet fjalë për sigurinë e saj, diskutimet mbi sigurinë e Arktikut janë, mbi të gjitha, një çështje kyçe për NATO-n. Kjo është arsyeja përse ne do të vazhdojmë të punojmë për sigurinë me aleatët, partnerët tanë, përfshirë Shtetet e Bashkuara.", - theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
 
Kremlini thotë se është seriozisht i shqetësuar për praninë e trupave të NATO-s në Grenlandë, duke vlerësuar se kjo po bëhet nën pretekstin e rremë të kërcënimeve të dyshuara nga Rusia dhe Kina.
 
BELINDA KOKA ADEMI