Maqedoni
Strugë, përkujtohet dita e gjenocidit të Reçakut
16.01.2026 14:19
Një mbrëmje përkujtimore për gjenocidin e Reçakut u mbajt në Strugë...

Një mbrëmje përkujtimore për gjenocidin e Reçakut u mbajt në Strugë, pranë Urës “Naser Hani”, ku të pranishmit ndezën qirinj në nderim të viktimave dhe në shenjë solidariteti me Kosovën. Në një atmosferë të qetë dhe solemne u përcoll mesazhi se krimet e kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë nuk harrohen dhe se ruajtja e kujtesës historike mbetet një detyrim moral për brezat e sotëm dhe ata që vijnë.
“Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur. Struga ka nderin, që si gjithmonë ka qenë pranë Kosovës, prandaj jemi mbledhur këtu, që në shenjë solidarizimi, të ndezim nga një qiri. Një minutë heshtje për t’i nderuar ato viktima të panumërta nga ai gjenocid i egër.”, - theksoi Yzeir Mustafai.
Kjo mbrëmje përkujtimore u organizua nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”dhe shoqata “Foleja e Shqipes”, me synimin për të ruajtur kujtesën historike dhe për të rikujtuar të vërtetën mbi ngjarjet tragjike të Reçakut, të cilat tronditën ndërgjegjen e botës.
“Kur mos e harrojmë atë që na ka ndodhur neve si popull. Një popull që s’flet, që nuk i kujton dëshmorët, ai popull vdes.”, - u shpreh Shah Hani.
Me këtë aktivitet, Struga iu bashkua përkujtimeve për viktimat e Reçakut, duke riafirmuar mesazhin se gjenocidi ndaj shqiptarëve në Kosovë nuk harrohet dhe se kujtesa për ato ditë të errëta mbetet e gjallë.
FITORE ISTREFI
