Maqedoni

Suspendimi i vizave amerikane, LSDM: Shteti po hyn në listën e zezë

16.01.2026 14:38

Vendimi amerikan për suspendimin e përpunimit të vizave për qytetarët e vendit...

Vendimi amerikan për suspendimin e përpunimit të vizave për qytetarët e vendit është paralajmërim se ku gjendet vendi në hartën botërore, vlerësojnë socialdemokratët. Vendimi i tillë, sipas tyre, është alarm kundrejt politikave izoluese të shtetit, të cilat do të kushtojnë shumë. Sipas Andrej Zhernovskit, kjo lëvizje që nuk është e përkohshme nuk duhet relativizuar, pasi Maqedonia me politikat e tilla përfundon në perimetrin e Somalisë dhe shtetet e botës së tretë.
 
“Mickoski, në fakt e tejkaloi Gruevskin, i cili, siç e dini, përfundoi në listën e zezë, por për fat të keq Mickoski e vuri gjithë shtetin në listën e zezë të ShBA-së. Vendimi i ShBA-së që të suspendojë përpunimin e vizave  për shtetasit e vendit, nuk është pauzë teknike, siç tha dje Mucunski, por është sinjal i qartë politik dhe paralajmërim deri tek ne. Dje Uashingtoni dërgoi porosi të qartë se janë të pakënaqur nga kapaciteti i shtetit tonë, se ekziston mosbesim në institucione dhe e treta se presin reforma të cilat me këmbëngulje nuk zbatohen.”, - deklaroi anëtari i bordit ekzekutiv të LSDM-së, Andrej Zhernovski. 
 
Mickoski paralajmëron lajme optimiste
 
Kryeministri Hristijan Mickoski, me dozë optimizmi sa i takon vizave amerikane, tha se qytetarët shumë shpejt do të marrin lajme tejet të mira për këtë çështje.
 
“Bëhet fjalë për vizat e migrantëve. Nuk flasim për vizat të cilat janë për nevoja studimi, vizita turistike. Mua më vjen keq që opozita pas kritikave të ashpra ndaj partnerit tonë strategjik, Mbretëria e Bashkuar, tani të njëjtën e bëjnë me ShBA-në. Andaj unë do të jem i kujdesshëm, i durueshëm dhe pres shumë lajme të mira për qytetarët e vendit, shumë shpejt.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Më 14 janar të këtij viti Departamenti Amerikan i Shtetit lajmëroi se do t’i pauzojë vizat amerikane nga 21 janari për 75 shtete, përfshi edhe Maqedoninë e Veriut. Vendimi përfshin vizat për migrantë, sikurse bashkimi familjar apo qëndrime më të gjata në tokën amerikane, por jo edhe vizat për studentë, vizat turistike apo vizat e punës me qëllim të përkohshëm. Të dhënat e Departamentit Amerikan flasin se interesimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për viza shpërnguljeje në ShBA ka shënuar rënie në dekadën e fundit. Nëse në vitin 2015 janë dhënë 1.318 viza, gjatë vitit 2024 janë lëshuar 573 viza për migrim.
 
MERAL ISMAILI