Maqedoni
Kuvend, debat mbi ndryshimet në Kodin Penal
16.01.2026 14:52
Komisioni Parlamentar për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve ka zhvilluar debat publik mbi projektligjin për ndryshimet në Kodin Penal...

Komisioni Parlamentar për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve ka zhvilluar debat publik mbi projektligjin për ndryshimet në Kodin Penal. Opinionin dhe përshtypjet e tyre i dhanë dhjetëra ekspertë, profesorë dhe njohës të mirë të këtyre çështjeve. Sipas profesoreshës Ana Çupevska, ky propozim-ligj në formën e tanishme është vetëm instrument i lehtë për populizëm.
“Përfundimisht, ky propozim-ligj në formën e tanishme është instrument i lehtë për populizëm ligjor, i cili mund t’i viktimizojë të drejtat fundamentale për poena politikë. Të gjithë e duam sigurinë, duam edhe komunikacion të sigurt, të gjithë duam një shtet pa korrupsion, por rruga që na qon deri aty nuk shkon me mbrojtjen në këtë mënyrë ose me represion mbi qytetarët, por vetëm me debat serioz dhe me revizion në pjesën e amendamenteve. Vetëm atëherë kjo nismë mund të shndërrohet një kozmetikë politike dhe ligjore, në një nismë për zgjidhjen e krizës në lidhje drejtësinë në vendin tonë.”, - deklaroi profesoresha, Ana Çupevska.
Për profesorin universitar Sejfullah Osmani, Kodi Penal duhet të përmbajë vendime që disa shtete fqinje i kanë zbatuar.
“Në Shqipëri u bënë ndryshimet në Kodin Penal, ku theksohet se të gjitha veprat penale që janë kryer nga ana e bartësve të funksioneve publike nuk duhet të kenë vjetërsim të lëndës. Të gjithë ata që ushtrojnë funksione të larta të japin përgjegjësi, pavarësisht kur dhe si e ka kryer veprën penale.”, - theksoi profesori universitar, Sejfullah Osmani.
Ndërsa për avokaten Ruzhica Nikollovska, këto propozime nuk janë më të mirat, por sigurisht se janë më të qëndrueshme sesa ato të cilat u sollën në vitin 2023.
“Në këtë fushë nuk kemi hapësirë që të luajmë dhe vetëm të japim konstatime teorike pa u futur njëherë në gjykatë apo pa i shikuar reperkusionet nga ndryshimet, të cilat bëhen ndër vite dhe nga gjimnastikat juridike, siç ishte rasti në vitin 2023, kur u bënë ndryshimet e Kodit Penal.”, - u shpreh avokatja, Ruzhica Nikollovska.
Siç tregohet, qëllimi i miratimit të këtij ligji është harmonizimi i Kodit Penal, eliminimi i dobësive në dispozitat ekzistuese dhe veprimi në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 12 shkurtit 2025 të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në të njëjtën kohë, kjo qasje do të veprojë në përputhje me vëzhgimet në Raportin e Komisionit Evropian të vitit 2023 dhe do të rivendosë një kornizë ligjore realiste dhe të shëndoshë për forcimin e luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë.
FITIM KRYEZIU
