Maqedoni
Aksion i PPNKOK-së, 4.8 milionë euro mashtrim tatimor
16.01.2026 15:00
4.8 milionë euro para shtetërore dyshohet se janë nxjerrë përmes mashtrimeve tatimore dhe deklarimeve fiktive....

4.8 milionë euro para shtetërore dyshohet se janë nxjerrë përmes mashtrimeve tatimore dhe deklarimeve fiktive, ndërsa tetë persona kanë përfunduar në paraburgim, kurse ndaj edhe dhjetë të tjerëve janë shqiptuar masa të rrepta. Ky është epilogu i aksionit të madh kundër një rrjeti të lidhur me të punësuar në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, të cilin e udhëheq Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Prokurori publik ka vlerësuar se ekziston rrezik serioz nga arratisja, ndikimi mbi dëshmitarët dhe përsëritja e veprave penale, për çfarë ka kërkuar paraburgim për dhjetë persona. Gjykata Penale e ka pranuar kërkesën dhe ka caktuar paraburgim për tetë prej tyre, ndërsa dy persona tashmë ndodhen në paraburgim në një lëndë tjetër. Për të dyshuarit e tjerë janë shqiptuar masa kujdesi.
“I dyshuari i parë, shtetas i Serbisë dhe pronar e menaxher i dy personave juridikë, së bashku me dy zyrtarë të Drejtorisë së të Ardhurave Publike – Drejtoria Rajonale Shkup, gjatë vitit 2023 kanë formuar një grup me qëllim kryerjen e veprave penale: evazion tatimor, mashtrim tatimor, pastrim parash dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare. Në periudhën 2023–2025, në grup janë përfshirë edhe pronarë, menaxherë dhe të punësuar të tjerë në persona juridikë nga Shkupi dhe Gjevgjelia. Me paraqitjen e të dhënave të pasakta në deklaratat tatimore dhe me ndihmën e zyrtarëve tatimorë nga DAP-i, gjatë periudhës 2023–2024, i dyshuari i parë ka shmangur pagesën e tatimit në vlerë prej 11.593.403 denarësh. Të dyshuarit e tjerë, pronarë dhe menaxherë të personave juridikë, përmes deklarimeve të rreme kanë kërkuar, ndërsa të punësuarit e dyshuar ua kanë miratuar në mënyrë të pabazë kthimin e tatimit për persona juridikë jorezidentë, me ç’rast buxheti është dëmtuar për 31.175.168 denarë.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa Prokuroria paralajmëron hapa të rinj dhe masa të mundshme shtesë, në varësi të sigurimit të provave të reja.
ERSAN PAJAZITI
