Iran, autoritetet po u kërkojnë të holla familjarëve për kthimin e trupave të protestuesve të vrarë
Autoritetet iraniane po u kërkojnë shuma të mëdha parash...

Autoritetet iraniane po u kërkojnë shuma të mëdha parash familjarëve për kthimin e trupave të protestuesve të vrarë, raporton BBC.
Familjet e personave të vrarë në protestat në Iran i kanë thënë rrjetit britanik BBC-së se autoritetet po kërkojnë shuma të mëdha parash për të kthyer trupat e tyre për varrim. Burime të shumta kanë thënë se trupat po mbahen në morgje dhe spitale dhe se forcat e sigurisë nuk do t’i lirojnë ata nëse të afërmit e tyre nuk dorëzojnë paratë.
Ndërkohë, të paktën 2,435 persona janë vrarë gjatë më shumë se dy javësh protestash në të gjithë vendin.
Një familje në qytetin verior të Rashtit ka thënë se forcat e sigurisë kërkuan 5,000 dollarë për të liruar trupin e të dashurit të tyre. Ata thanë se trupi po mbahej në morgun e Spitalit Poursina, së bashku me të paktën 70 protestues të tjerë të vdekur.
Ndërkohë, në Teheran, familja e një punëtori sezonal kurd të ndërtimit shkoi për të marrë trupin e tij, vetëm për t’u thënë se duhet të paguanin një miliard tomanë, 7,000 dollarë, për ta marrë atë.
Në disa raste, stafi i spitalit ka telefonuar të afërmit e të vdekurve për t’i paralajmëruar paraprakisht që të vinin dhe t’i merrnin trupat përpara se forcat e sigurisë të mund t’i zhvatnin ata. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump tha se i ishte thënë se vrasjet në shtypjen e protestave nga Irani po lehtësoheshin dhe se ai besonte se nuk kishte ndonjë plan aktual për ekzekutime në shkallë të gjerë, duke mbajtur një qëndrim “prit dhe shiko” pas ndërhyrjes kërcënuese të mëparshme.
Pasi ministri i Jashtëm i Iranit tha se Teherani “nuk kishte plan” për të varur njerëz, media shtetërore iraniane raportoi të enjten se një 26-vjeçar i arrestuar gjatë protestave në qytetin Karaj nuk do të dënohej me vdekje.
