Siri, vritet drejtuesi i lartë i Al Kaedës: Operacioni nga forcat amerikane, goditen bastionet e ISIS
Forcat ushtarake Amerikane kanë kryer një sulm ajror në veriperëndim të Sirisë...

Forcat ushtarake Amerikane kanë kryer një sulm ajror në veriperëndim të Sirisë, një operacion ky që solli vrasjen e një drejtuesi të lartë të lidhur me Al Kaedën, i cili ishte përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejt në planifikimin e sulmeve kundër forcave të Shteteve të Bashkuara.
Komanda Qendrore Ushtarake e Shteteve të Bashkuara deklaroi se objektivi i sulmit ishte Bilal Hasan al-Jasim, i përshkruar nga ushtria amerikane si “një drejtues terrorist me përvojë”.
Komanda Ushtarake Amerikane deklaroi se Al Jasim kishte planifikuar sulme terroriste dhe kishte lidhje të drejtpërdrejta me autorin e një sulmi të ISIS-it në Palmyra, Siri, më 13 dhjetor.
Në atë sulm, dy ushtarakë amerikanë dhe një përkthyes amerikan humbën jetën, ndërsa disa pjesëtarë të forcave amerikane dhe siriane u plagosën. Pete Hegseth, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes kishte deklaruar në muajin dhjetor se forcat ushtarake partnere të Shteteve të Bashkuara kishin vrarë autorin e atij sulmi.
Komandanti i Komandës Qëndrore ushtarake Amerikane Brad Cooper deklaroi se eliminimi i Bilal Hasan al-Jasim tregoi se eliminimi i këtij terroristi tregon vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndjekur dhe neutralizuar çdo individ që sulmon forcat Amerikane.
Pas sulmit ndaj forcave Amerikane ne dhjetor presidenti amerikan Donald Trump kishte premtuar hakmarrje, duke e cilësuar incidentin si “një sulm të ISIS-it kundër SHBA-së”. Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara vijuan sulme të gjera ajrore në Siri në kuadër të operacionit të quajtur “Hawkeye Strike”.
Sipas Komandës Qendrore ushtarake amerikane , gjatë këtij operacioni janë goditur mbi 100 objektiva të infrastrukturës dhe armëve të ISIS-it, duke përdorur më shumë se 200 municione precize. Operacionet nisën në dhjetor, me objektiv bastionet e ISIS-it në territorin sirian.
Gjatë vitit të fundit, forcat amerikane dhe ato partnere kanë arrestuar më shumë se 300 operativë të ISIS-it dhe kanë vrarë mbi 20 të tjerë në Siri, duke eliminuar kërcënime të drejtpërdrejta për Shtetet e Bashkuara dhe sigurinë rajonale, thuhet në deklaratën zyrtare.
