Policia Financiare: Paratë mund të jenë siguruar nga veprime të paligjshme
Policia Financiare ka dalë me detaje...

Policia Financiare ka dalë me detaje lidhur me 350 mijë eurot që u gjetën të fshehura në murin e shtëpisë së gjyqtarit Gjoko Ristov.
Në njoftimin e Policisë Financiare thuhet se këto para janë gjetur në murin e shtëpisë së prindërve të gjyqtarit në Negotinë, ku ai dyshohet se i kishte fshehur më herët.
Policia Financiare dyshon se këto mjete financiare mund të jenë siguruar nga veprime të paligjshme dhe nga ndikimi i gjyqtarit gjatë ushtrimit të funksionit të tij.
"Veprimet janë zhvilluar nën drejtimin e Drejtorisë së Policisë Financiare, në koordinim me prokurorin publik kompetent. Bastisja është kryer në shtëpinë e prindërve të një personi, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkup, i dyshuar për veprën penale “Fitim i kundërligjshëm dhe fshehje e pasurisë”. Gjatë bastisjes, në një hapësirë të veçantë të ndërtuar fshehurazi në murin e objektit, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 350.000 euro, për të cilat ekzistojnë dyshime se rrjedhin nga veprimtari të paligjshme të lidhura me korrupsion dhe tregti me ndikim.”, thuhet në njoftimin e Policisë Financiare.
Në ndërkohë nga MPB-ja thonë se procedura parahetimore ndaj gjyqtarit Ristov është realizuar për një kohë të gjatë dhe se bastisja është realizuar, përveç se në shtëpinë e tij, edhe në disa lokacione tjera në Negotinë.
“Nëpunës policor nga Sektori për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, me kërkesë të prokurorit publik nga Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dhe në bazë të një urdhri të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, kryen bastisje në shtëpinë dhe ambiente të tjera në zonën e Negotinës, me qëllim gjetjen e gjësendeve që rrjedhin nga vepra penale të kryera. Gjatë bastisjes, në një hapësirë të ndërtuar brenda murit u gjetën 350 mijë euro, për të cilat ekziston dyshimi se janë fituar në mënyrë të paligjshme dhe janë fshehur. Veprimet janë rezultat i aktiviteteve të ndërmarra në kuadër të një hetimi të gjerë, pasi që më 14 dhjetor 2025 u dyshua një avokat për për veprën penale të pranimit të shpërblimit për ndikim të paligjshëm.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski. (Rexhep Qamili, TVM2)
