Botë

Aksident hekurudhor në Spanjë, mbi 40 të vdekur dhe 150 të plagosur

19.01.2026 14:08

Spanja përjeton momente zie dhe tronditjeje pas tragjedisë së rëndë hekurudhore që ka goditur vendin....

Spanja përjeton momente zie dhe tronditjeje pas tragjedisë së rëndë hekurudhore që ka goditur vendin. Dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën me njëri-tjetrin pranë qytetit Adamuz, afër Kordobës, duke shkaktuar humbjen e jetës së të paktën 40 personave, ndërsa bilanci i viktimave vazhdon të rritet. Mbi 150 të plagosur janë dërguar në spitale dhe mjekët luftojnë për të shpëtuar jetën e dhjetëra personave në gjendje kritike, mes tyre edhe fëmijë. Ndërkohë, familjarët e pasagjerëve të përfshirë në aksident përballen me orë ankthi, në kërkim të informacionit për më të dashurit e tyre.
 
“Situata është komplekse. Dy trena ndodhen në binarë dhe shërbimet e emergjencës ende po punojnë. Njerëzit janë të shqetësuar, gjë krejtësisht e kuptueshme në këto momente, pasi kërkojnë familjarë ose miq që mund të kenë qenë në të njëjtin tren. Gjithçka është disi kaotike. Nuk ishte e lehtë të arrihej në vendngjarje, sepse aksidenti nuk ndodhi në stacion, por në mes të një fushe.”, - deklaroi drejtori i Emergjencave në Kryqin e Kuq, Inigo Vila. 
 
Njëri prej trenave i një kompanie private, udhëtonte nga Malaga drejt Madridit kur doli nga shinat dhe kaloi në binarët e kundërt, duke u përplasur me një tren tjetër të kompanisë shtetërore “Renfe” që vinte nga drejtimi i kundërt. Përplasja ishte aq e fortë sa vagonët e fundit të trenit të parë u shndërruan në një grumbull hekuri.
 
“Ky është një aksident jashtëzakonisht i pazakontë dhe tragjik. Binarët ndodhen në një segment të sheshtë dhe ishin rinovuar së fundmi, ndërsa treni i parë është pothuajse i ri, i prodhuar vetëm katër vite më parë.  Hetimi do të jetë i gjatë dhe i thelluar për të zbuluar se si ndodhi dalja nga shinat që shkaktoi një masakër të tillë.”, - theksoi ministri spanjoll i Transportit, Oskar Puente.
 
Në momentin e aksidentit, në të dy trenat ndodheshin rreth 500 pasagjerë. Dëshmitarët përshkruajnë skena tmerri.
 
“Vërejtëm një frenim të papritur; nuk patëm kohë të reagonim, kur brenda një çasti ndodhi një goditje edhe më e fortë, që bëri që valixhet, rrobat dhe njerëzit të shpërndaheshin nëpër gjithë vagonin.”, - tha një pasagjer i trenit Alvia nga Madridi, Horhe.
 
“Goditja ishte e papritur, dritat u fikën. Isha ulur në sediljet e fundit të vagonit dhe më përplasi në formë rrethore; nuk e di sa herë u rrotullova, nuk e di si u godita në shpinë. Kishte njerëz që bërtisnin. Të gjitha valixhet ranë mbi kokat e pasagjerëve.”, - u shpreh pasagjerja, Montse Ruiz.
 
Ndërsa mjekët ligjorë punojnë për identifikimin e viktimave, Spanja përgatitet për një nga të hënat më të trishta në historinë moderne. Mbreti dhe kryeministri shprehën ngushëllimet, ndërsa Sançezi shpalli ditë zie kombëtare, duke e quajtur ngjarjen “një natë dhimbjeje të thellë”. Shkaku zyrtar i aksidentit ende nuk dihet. Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet, por bëjnë të ditur se rezultatet nuk priten për të paktën një muaj. Trafiku hekurudhor mes Madridit dhe jugut të Spanjës është ndërprerë plotësisht, duke bllokuar mbi 200 trena dhe mijëra pasagjerë.
 
FARIJE DAUTI BAKIU