Maqedoni
Sistemi “Qyteti i Sigurt”, Nikollovski: Opozita të japë mbështetje
19.01.2026 14:18
VMRO-DPMNE fton opozitën parlamentare të japë mbështetje për ligjet të cilat duhet votuar me dy të tretat e votave...

VMRO-DPMNE fton opozitën parlamentare të japë mbështetje për ligjet të cilat duhet votuar me dy të tretat e votave, sikurse ligjet reformuese, përfshi edhe ligjin për kundërvajtje, i cili ngërthen në vete sistemin “Qyteti i Sigurt”. Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikollovski nuk thotë nëse do të kërkohej nga MPB-ja shtyrja e zbatimit të sistemit, pasi, sipas tij, bëhet fjalë për çështje parimore që premton rendin në shtet.
“E shihni se kush është në opozitë? Opozitë është LSDM-ja, e cila po bën një fushatë plotësisht destruktive, të cilën pranoj se nuk e kuptoj. Këtu është BDI-ja, të cilën e dimë se çfarë ndodhte kur ishte në pushtet. Shpresoj se do të reflektojnë dhe ligjet, posaçërisht ato të cilat janë me dy të tretat e votave, posaçërisht pas premtimeve të takimit të liderëve, do të votohen në Kuvend.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Aleksandar Nikollovski.
Filipçe: Të diskutohen dënimet dhe të dhënat
Filipçe thotë se në Kuvend do të japin mbështetjen e të gjitha ligjeve në interes të shtetit. Sa i takon ligjit për kundërvajtje me përfshirjen e Sejf Sitit, kryesocialdemokrati thotë se Kuvend do të ngremë nismë për ta shoshitur ligjin.
“Ky ligj do ta ketë mbështetjen në aspektin e sigurisë në komunikacion. Por, me rëndësi janë dy çështje për të cilat pushteti nuk përgjigjet: çfarë do të ndodhë me sasinë e madhe të të dhënave, të cilat sistemi do t’i gjenerojë, duke pasur parasysh se VMRO – DPMNE është e njohur për keqpërdorime të të dhënave të tilla dhe çështja e dytë është lartësia e dënimeve. Kjo duhet patjetër të diskutohet. Këto dy çështje do t’i ngremë në Kuvend.”, - u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Filipçe me kritika se pushteti nuk ka realizuar agjendën reformuese deri më tani dhe as që e kanë ndërmend ta bëjnë këtë. Sipas tij, Kuvendi do të duhej të miratojë 12 ligje të agjendës reformuese, por që në fund të vitit miratoi vetëm një në fushën e drejtësisë, në formë parciale, pa përfshirjen e të gjitha rekomandimeve të BE-së.
MERAL ISMAILI
