Besimtarët ortodoksë festojnë festën krishtere “Ujin e Bekuar”, urojnë krerët shtetërorë

19.01.2026 14:30

Besimtarët ortodoksë festojnë festën e madhe...

Besimtarët ortodoksë festojnë festën e madhe krishtere “Uji i Bekuar”. Në këtë ditë, sipas traditës krishtere, Shën Jovani e pagëzoi Jezu Krishtin në lumin Jordan. Festa quhet “Uji i Bekuar”, për shkak të shenjtërimit të madh të ujit të kryer nga kisha në këtë ditë.

Me këtë rast nuk kanë munguar urimet e krerëve shtetërorë. Presidentja e shtetit, Siljanovska, uron gëzim në zemër, dritë në shpirt dhe paqe në mendje.

“Vetëm me butësi, vëmendje, solidaritet dhe empati mund ta zgjojmë hyjnoren brenda nesh, duke treguar natyrën e vërtetë njerëzore. Të vetëdijshëm se njerëzimi po përballet me një krizë të thellë dhe me sprova të rënda, duhet të fillojmë të ndryshojmë veten, nëse duam ta ndryshojmë shoqërinë”.

Kjo ditë e ujit, si burim jete, na kujton nevojën për pastërti shpirtërore dhe morale, ka shkruar mes tjerash, kryeministri Mickoski.

“Kjo ditë e madhe na kujton sa e rëndësishme është bashkësia ndërmjet njerëzve dhe marrëdhëniet e mira me të gjithë. Në këto momente, njerëzit mblidhen, mbështesin njëri-tjetrin dhe e ndajnë gëzimin, duke treguar se komuniteti është më i fortë kur është i bashkuar rreth vlerave që na tejkalojnë të gjithëve si individë”.

Festën e “Ujit të Bekuar” e ka uruar edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

“Kjo festë bart mesazhin e pastrimit shpirtëror dhe të shpresës, duke na kujtuar rëndësinë e unitetit dhe angazhimit të përbashkët për përparimin e shoqërisë dhe të shtetit. Besimtarëve ortodoksë u dëshiroj që kjo ditë t’ju sjellë qetësi të brendshme, ndërsa familjet tuaja të gëzojnë shëndet, mbarësi dhe mirësi”.

Tradicionalisht, më masivisht hedhja e kryqit bëhet në Shkup dhe në Ohër. Sipas besimit ortodoks, ai që do ta kapë kryqin, tërë vitin do ta ndjekë fati, shëndeti dhe mirëqenia. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)