Shqipëria ftohet në Bordin e Paqes për Gazën, Spiropali: Pa detyrime financiare

19.01.2026 14:52

Ftesën e Donald Trampit që Shqipëria të jetë anëtare e Bordit të Paqes për Gazën....

Ftesën e Donald Trampit që Shqipëria të jetë anëtare e Bordit të Paqes për Gazën, qeveria shqiptare e konsideron si një përgjegjësi të lartë shtetërore që e kuoton edhe më lart vendin tonë në skenën ndërkombëtare.

Në një konferencë për media, ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, hodhi poshtë zërat se Shqipëria duhet të paguajë 1 milard euro apo do të strehojë palestinezë për t’u bërë anëtare e përhershme e këtij bordi.

“Nuk ka detyrime financiare. Është një ftesë nga presidenti Tramp, pra e drejtpërdrejtë. Nuk ka angazhim tjetër, përveçse angazhimit të shpallur botërisht dhe që ne sot e deklarojmë për marrjen pjesë në këtë bord. Shqipëria, me statusin e anëtarit themelues, do të shohim në vijim angazhimet që burojnë nga statute. Në Tiranë plas marazi, e marrin dhenë lloj-lloj tregimesh me miliarda dollarë që do paguakemi për bordin, e me palestinezët që do i sjellim në Shqipëri në këmbim të prezencës sonë në atë bord.”, - deklaroi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.

Kryediplomatja u ndal edhe tek akuzat e opozitës se Shqipëria është futur në listën e zezë të ShBA-së pas vendimit mbi pezullimin e vizave migratore për 75 vende.

“U turrën ta helmojnë publikun me parullën “ShBA-ja vendos Shqipërinë në listën e zezë”, duke komentuar me ngazëllim  gënjeshtrën se vendimi në fjalë na lidhej me ndëshkimin e narkoshtetit të tyre imagjinar, e kanë marrë përgjigjen as më shumë e as më pak, po direkt nga presidenti Donald Tramp, i cili ka nënshkruar në letrën e tij se, Shqipëria është një partner i mrekullueshëm dhe Edi Rama është një udhëheqës i respektuar botërisht.”, - theksoi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.

Media amerikane “Bloomberg” sqaroi se si do të funksionojë Bordi i Paqes, ku vendet anëtare si Shqipëria do të kenë një mandat 3-vjeçar. Nëse ky mandat 3-vjeçar do të zgjatej apo jo, kjo do të varej nga drejtuesi i Bordit.

Pagesa prej të paktën 1 miliard dollarë i referohet vetëm atyre shteteve që do të duan një mandat të përhershëm në Bord. (Luljeta Ndoka, TVM2)