Parregullsi në numërimin e votave, KQZ: Kosova shkon në rinumërim
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendos rinumërimin e të gjitha votave....

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendos rinumërimin e të gjitha votave në vendvotimet në 28 komunat e Kosovës, si dhe ka miratuar rekomandimin për ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit. Ky vendim u mor pas konstatimit të keqpërdorimeve në procesin e numërimit të votave brenda subjekteve politike, për atë se kush ka siguruar mandatin e deputetit.
“Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi. Analiza numerike e veçon Komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR të Komunës së Prizrenit janë zbritur nga rezultati 29.343 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN të Prizrenit. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 16.366 vota kandidatëve, të cilët nuk ishin regjistruar saktë në këtë QKN.”, - deklaroi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Sa i përket Prizrenit, kandidatit të PDK-së, Fetah Paçarizi, në Prizren i kanë rezultuar të pavërteta 6 mijë e 22 vota; Kujtim Gashit po nga PDK-ja 2 mijë e 359 vota; Nait Hasanit 3 mijë e 419 vota apo Xhavit Halitit një mijë e 494 vota.
Në LDK-në e Prizrenit, Driton Selmanaj ka rezultuar me 1 mijë e 57 vota më pak, ashtu si Xhavit Uka, i cili ka dalë me 1 mijë e 597 vota më pak. Te Lëvizja Vetëvendosje në Prizren numri i votave të manipuluara ka qenë më i ulët, përkatësisht Arbër Rexhaj ka rezultuar 631 vota të manipuluara, i pasur nga Dafina Alishani me 459 vota dhe Valon Ramadani me 422 vota më pak nga rezultatet fillestare.
Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se për dallim të votave të kandidatëve, votat e partive politike janë numëruar saktë.
“Kur flasim për votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikuara janë minimale dhe pothuajse të papërfillshme. Kjo do të thotë se rezultatet e subjekteve janë numëruar dhe paraqitur saktë.”, - u shpreh kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Ndërkohë zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në Kosovë ka nisur grumbullimin e informacioneve për keqpërdorimet në procesin e numërimit të votave brenda subjekteve politike. (Gyltene Sinani, TVM2)
