Maqedoni
Kufizime të përkohshme të qarkullimit në Shkup, testohen dhe kalibrohen kamerat e “Qytetit të Sigurt”
19.01.2026 15:15
Sistemi “Qyteti i Sigurt” edhe në fazën e paralajmërimit ka dhënë paraefektet e veta...

Sistemi “Qyteti i Sigurt” edhe në fazën e paralajmërimit ka dhënë paraefektet e veta, ngaqë qytetarët vetëm se kanë filluar të përshtaten me projektin dhe rregullat e tij, thotë zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Goce Andreevski. Edhe njëherë bën të ditur se projekti pritet të fuqizohet nga fillimi i shkurtit, ndërkaq gjatë vitit do të shtrihet në tërë territorin e vendit.
“Sistemi “Qyteti i Sigurt” tashmë në vazhdimësi po dëshmon tendencë të uljes së kundërvajtjeve të regjistruara, që tregon atë se qytetarët po përshtaten dhe se paralajmërimet kanë efekt mbi ngritjen e disiplinës në komunikacion. Parashihet që nga 1 shkurti i këtij viti, sistemi në tërësi të funksionojë dhe të fillohet me sanksionimin ndaj qytetarëve, të cilët kanë bërë kundërvajtje e që janë detektuar nga kamerat. Gjatë vitit 2026 është paraparë që të fillohet funksionimi në tërë territorin e shtetit.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
Ditë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në kuadër të projektit "Qyteti i Sigurt", në periudhën nga 20.01. (e martë) deri më 31.01. (e shtunë) do të bëhet testimi, kalibrimi dhe verifikimi i pajisjeve (kamerave) të vendosura për mbikëqyrjen e qarkullimit. Testimet do të realizohen çdo ditë në periudhën nga ora 08:00 deri në orën 20:00. Gjatë zbatimit të këtyre aktiviteteve, automjetet në lokacionet ku bëhet testimi nuk do të lejohet të kalojnë gjersa zgjat procedura. Në javën e parë të periudhës së planifikuar, aktivitetet do të kryhen ekskluzivisht në lokacionet me kamerat e vendosura në zonën e qytetit të Shkupit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
