Maqedoni

ASh - Taravari: Me sistematizimin e ri në MPB, degradohen shqiptarët

19.01.2026 15:38

Nga ASh thonë se me këtë vendim, të gjitha kompetencat kalojnë nën juridiksionin e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër....

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit në një konferencë për shtyp ka shprehur shqetësimin për, siç thonë, njoftimin që Qeveria e RMV-së, përmes Ministrisë së Brendshme, po përgatit ndryshime ligjore dhe sistematizime të reja të vendeve të punës në Njësinë për Punë të Brendshme në Njësinë Strugë-Dibër-Kërçovë. Siç thonë nga ASh-ja, me këtë vendim, të gjitha kompetencat kalojnë nën juridiksionin e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër.
 
“Si pasojë e kësaj, në qytetet me shumicë shqiptare nuk parashihen më pozita kyçe, si: kryeshef i policisë, kryeshef i njësisë antikrim, komandant i pikës kufitare dhe zëvendëskomandant në stacionet policore. Pasqyrim i një politike që s’ndalon, ku nuk aplikohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, sipas demografisë dhe shumicës shqiptare në këtë regjion, kryeshef i sektorit rajonal për kufirin i MPB-së, me qendër në Ohër, emërohet një maqedonas nga Kërçova, pas dy dekadave përfaqësim shqiptar. Ky veprim cenon drejtpërdrejti parimet kushtetuese të barazisë, përfaqësimit të drejtë dhe bashkëjetesës ndëretnike, si dhe minon besimin ndërmjet komuniteteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.”, - deklaroi zëdhënësja e ASh-së, Njomza Asani Shaqiri.