Botë

Kosovë, shtyhet vendimi për Gjykatën Speciale

02.06.2015 12:32

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka shtyrë për një afat të pacaktuar debatin për miratimin e Gjykatës Speciale dhe Forcat e Armatosura të Kosovës...

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se qeveria ende nuk e ka proceduar ligjin për gjykatën, ndërsa u shpreh i bindur se deputetët do ta votojnë krijimin e saj.

Veseli shtoi se arsyet e vonesave janë sepse deputetët dëshirojnë të kenë edhe ligjin për gjykatën para se t'i votojnë ndryshimet kushtetuese për këtë çështje.

Sa i përket projektligjit për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, anëtarët e kryesisë së Kuvendit bënë të ditur se tashmë drafti ndodhet në komisionet parlamentare për shqyrtim dhe pritet që shumë shpejt të vijë në kryesi për ta proceduar më pas për miratim në seancë parlamentare.

Miratimi i ligjit për forcat e armatosura kundërshtohet nga komuniteti serb, i cili kërkon që në kuadër të kësaj force të ketë një batalion nga komunitetet joshumicë, por një kërkesë e tillë është hedhur poshtë si tërësisht e papranueshme. Sipas qeverisë, Ushtria e Kosovës do të jetë e pandarë dhe me një komandë të vetme.