Maqedoni

Sistemi “Qyteti i Sigurt”, fillon kalibrimi dhe verifikimi i kamerave

20.01.2026 13:59

Edhe pak ditë na ndajnë nga vënia në funksion të plotë të sistemit “Qyteti i Sigurt” në vend....

Edhe pak ditë na ndajnë nga vënia në funksion të plotë të sistemit “Qyteti i Sigurt” në vend. Ministria e Punëve të Brendshme, nga sot e deri më 31 janar, do të kryejë kalibrimin dhe verifikimin e kamerave të vendosura nëpër qytete, me qëllim që më 1 shkurt gjithçka të jetë gati për zbatimin e plotë të sistemit. Kalibrimi i pajisjeve të mbikëqyrjes së trafikut do të realizohet çdo ditë, nga ora 08:00 deri në ora 20:00, informojnë nga MPB-ja.
 
“Mbi kamerat e trafikut po kryhen kontrolle për të konstatuar nëse ato funksionojnë siç duhet dhe nëse regjistrojnë saktë kundërvajtjet në komunikacion. Po verifikohet nëse kamerat incizojnë qartë targat e automjeteve dhe nëse të dhënat që regjistrohen janë të sakta dhe të besueshme. Këto aktivitete do të zhvillohen në periudhën nga 20 janar deri më 31 janar, në intervalin kohor nga ora 08:00 deri në ora 20:00. Gjatë javës së parë, kontrollet do të realizohen në lokacionet në territorin e qytetit të Shkupit. Në secilin pikë ku është e vendosur kamera, kontrolli do të kryhet vetëm një herë dhe do të zgjasë shkurt, nga 15 deri në 30 minuta. Kontrollet kryhen nga ana e Byrosë për Metrologji.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
 
Nga Këshilli Republikan për Sigurinë në Trafikun Rrugor përshëndesin vënien në përdorim të sistemit “Qyteti i Sigurt” dhe shprehen të bindur se, përmes tij, do të normalizohet trafiku rrugor dhe do të rritet niveli i sigurisë në trafik.
 
“Pavarësisht nëse është apo jo “Qyteti i Sigurt”, ne kemi ligj që parashikon se në zonat urbane shpejtësia e lejuar e lëvizjes është 50 km/orë. Kështu që nuk shoh ndonjë dallim thelbësor, sa i përket asaj se ku do t’ju regjistrojë kamera apo do t’ju konstatojë shkeljen radari nga një nëpunës policor, duke vërtetuar se keni tejkaluar shpejtësinë e lejuar. “Qyteti i Sigurt” ka për qëllim normalizimin e komunikacionit dhe qetësimin e drejtuesve të mjeteve, ndërsa njëkohësisht ndihmon në zbatimin e rregullave të përcaktuara me ligj.”, - theksoi zëdhënësi i KRSTRR-së, Dejan Andonoviq.
 
Nga MPB-ja u bëjnë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që, gjatë kalibrimit të kamerave, t’i respektojnë kufizimet e përkohshme në trafik dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim, me qëllim të realizimit të aktiviteteve të parashikuara. Sistemi “Qyteti i Sigurt” pritet të gjejë zbatimin e tij të plotë më 1 shkurt. Paraprakisht, në Kuvend duhet të miratohet propozim-ligji për kundërvajtje.
 
REXHEP QAMILI