Tetovë, nxënësit u kthyen në shkollë
Pas pushimit dimëror, nxënësit e shkollave fillore...

Pas pushimit dimëror, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë janë rikthyer në bankat shkollore. Të gjitha shkollat janë furnizuar me lëndë djegëse dhe kushtet janë për një proces arsimor të rregullt, tha Nazmi Dauti nga Sektori i Arsimit.
Sipas Dautit, ka nxënës që mungojnë shkaku i gripit, ndaj u bëri apel prindërve që nxënësit e prekur nga gripi, të mos i dërgojnë në shkollë.
“Të gjitha 12 shkollat fillore dhe pesë të mesme e kanë filluar procesin edukativo-arsimor, për gjysmëvjetorin e dytë nuk kemi pasur të shfaqur problematikë teknike nga asnjë nga shkollat fillore dhe të mesme. Ka nxënës që mungojnë shkaku i viruseve. Një apel deri tek gjithë prindërit e nxënësve që janë me viruse, që fëmijët e tyre mos i sjellin në shkollë. Të gjitha shkollat e komunës se Tetovës janë të furnizuara me lëndë djegëse dhe objektet janë të ngrohta dhe procesi edukativ-arsimor do zhvillohet pa asnjë problematikë.”, - theksoi udhëheqësi i Sektorit për Arsim, Nazmi Dauti.
Edhe pse filloi gjysmëvjetori i dytë, vazhdon edhe më tej mungesa e librave tek lëndët profesionale. Dauti thotë se ky problem nuk është vetëm në Tetovë.
“Problemi me librat në shkollat profesionale nuk është problematikë vetëm në qytetin e Tetovës. E dini se ka më tepër se një dekadë që është problematikë e librave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ende nuk kemi libra në shkollat profesionale, dhe ne si komunë e Tetovës kemi angazhuar aktivë të lëndëve profesionale të përgatisin një dispense, që më pastaj komuna e Tetovës do ta financojë.”, - u shpreh Nazmi Dauti nga Sektori i Arsimit.
Ky gjysmëvjetor në Tetovë filloi me 50 nxënës më pak, krahasuar me fillimin e vitit, pasi të njëjtët kanë marrë fletëshpërngulje në vendet perëndimore. (Visar Sadiku, TVM2)
