Maqedoni
Filloi gjysmëvjetori i dytë shkollor, shkollat dhe arsimtarët të gatshëm për mësim
20.01.2026 14:33
Ka filluar gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në të gjithë vendin...

Ka filluar gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në të gjithë vendin. Mësuesja Flora Kreka Demiri nga e shkolla fillore “Hasan Prishtina” për TVM2 thotë se janë përgatitur për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë sipas planit të paraparë dhe nuk ka mungesë të nxënësve që mungojnë për shkak të gripit sezonal.
“Gjysmëvjetori i dytë na filloi, pushimet na mbaruan, për fëmijët mendoj që pak si shpejtë, mirëpo ja që erdhi dita që përsëri të kthehemi në bankat shkollore. Unë mendoj që edhe fëmijët edhe ne si mësimdhënës jemi përgatitur për gjysmëvjetorin e dytë, që të realizojmë atë planin i cili është planifikuar për këtë periudhë kohore. Mendoj që me mundin tonë do t’ia arrijmë qëllimit edhe pse materiali është pak i stërngarkuar. Fëmijët janë të gjithë në përjashtim me tre-katër fëmijë që mungojnë për arsye personale, jo që janë të sëmurë diçka.”, - deklaroi Flora Kreka Demiri.
Nxënësit shprehen të lumtur me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të shkollës.
“Unë sot kam filluar shkollën. Po, kam lexuar lektyrën “Rosaku i shëmtuar”.”, - tha një nxënës.
“Jam e lumtur që kam takuar shokët dhe shoqet. Shumë mirë.”, - tha një nxënës tjetër.
“Shumë mirë. Po, kam lexuar lektyrën “Rosaku i shëmtuar”.”, - u shpreh një nxënës.
“Kalova mirë me mamin dhe babin, shkova te “Kodra e Diellit”.”, - u shpreh një nxënës tjetër.
“Kam lexuar lektyrën “Rosaku i shëmtuar”. Mirë, kam shëtitur.”, - tha një nxënës.
“Shumë mirë, jam kënaqur, jam shëtitur me mamin, babin dhe vëllain.”, - tha një nxënës tjetër.
Mjekët: Numri i lartë i pacientëve me grip
Mjekët thonë se aktualisht numri i pacientëve me grip dhe viruse të ndryshme është i lartë dhe terapinë ua japin simptomatike.
“Për momentin jemi në kulmin e sezonit të gripit. Jemi në numrin më të rritur si të kontrolleve ashtu edhe të prekurve të vegjël nga gripi dhe të rriturve. Gripi fillon me një temperaturë të përnjëhershme, rrjedhje nga hunda, lotim të syve, teshtimë, pastaj me kollitje dhe në fazën më të avancuar kur nuk është mjekimi adekuat, mund të kalohet në rrugët e poshtme të frymëmarrjes me pneumoni.”, - theksoi mjekja, Albina Bektashi.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, në një publikim në Fejsbuk u dëshiroi sukses të gjithë nxënësve në gjysmëvjetorin në vijim.
VLORA LATIFI TOPOJANI
