Maqedoni
Skandali “Ristov”, kërkohet arrest shtëpiak për gjykatësin Ristov
20.01.2026 14:48
PPNKOK kërkon arrest shtëpiak dhe konfiskimin e dokumentit të udhëtimit për gjykatësin nga Gjykata e Apelit, Gjoko Ristov...

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kërkon arrest shtëpiak dhe konfiskimin e dokumentit të udhëtimit për gjykatësin nga Gjykata e Apelit, Gjoko Ristov, për përvetësim dhe fshehje të paligjshme të pronës, gjegjësisht 350 mijë eurove të gjetura në mur të shtëpisë në Negotinë. Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për nenin 359-a, fitim i kundërligjshëm dhe fshehje e pasurisë, paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1, dhe Neni 273, paragrafi 1, Pastrimi i parave dhe i të ardhurave të tjera nga vepra penale. Për këto vepra penale janë të parapara nga gjashtë muaj deri në 5 vjet, 1 deri më 8 vjet dhe nga 1 deri 10 vjet burg.
"Sot, prokurori publik përgjegjës nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka marrë në pyetje gjyqtarin e dyshuar dhe ia ka paraqitur provat e mbledhura, mbi bazën e të cilave mbështetet dyshimi i arsyeshëm se i ka kryer veprat për të cilat ngarkohet. Duke vlerësuar kushtet objektive që duhet të plotësohen për caktimin e një mase për sigurimin e pranisë, si dhe kushtet subjektive që e arsyetojnë atë, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup propozim që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e arrestit shtëpiak. Përveç kësaj mase, është propozuar edhe caktimi i një mase paraprake, konfiskimi i përkohshëm i pasaportës ose i ndonjë dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror, përkatësisht ndalimi i lëshimit të tij.", thuhet në njoftimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Nga Gjykata Penale njoftojnë se deri më tani, gjyqtari Gjoko Ristov as nuk është sjellë para gjykatës dhe as nuk është paraqitur vullnetarisht, dhe e vetmja gjë që është paraqitur është propozimi nga prokuroria për caktimin e masave. Për momentin po presin njoftim zyrtar nga Këshilli Gjyqësor.
"Propozimi iu shpërnda menjëherë një gjyqtari të procedurës paraprake, i cili menjëherë i dërgoi një njoftim Këshillit Gjyqësor, nga ku pritet një përgjigje zyrtare. Pas marrjes së qëndrimit nga Këshilli Gjyqësor, gjyqtari i procedurës paraprake do të vazhdojë me procedurat e mëtejshme mbi çështjen.".
Procedura në të cilën Këshilli Gjyqësor vendos të heqë imunitetin e një gjyqtari është urgjente dhe kryhet brenda tre ditëve nga kërkesa e paraqitur. Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për hetimin më të gjerë, për shkak të dyshimit për korrupsion të nivelit të lartë.
FLORIJE KAMBERI
