Mbikëqyrja e Kuvendit mbi institucionet shtetërore, Preshova: Ekzekutivi dominon në agjendën e Kuvendit
Mbikëqyrja dhe kontrolli parlamentar mbi Qeverinë...

Mbikëqyrja dhe kontrolli parlamentar mbi Qeverinë dhe disa organe shtetërore nuk implementohen sa duhet, konstatojnë ekspertët. Po ashtu, nuk ndiqet mjaftueshëm ekzekutimi i ligjeve të miratuara në Kuvend.
Sipas hulumtuesve dhe akademikëve, Kuvendi akoma nuk e kryen funksionin mbikëqyrës në një mënyrë të rregullt dhe konsistente.
Profesori universitar Denis Preshova thotë se sipas nenit 130 të rregullores së punës së Kuvendit, grupet e punës nuk kanë funksion hetues gjyqësor. Po ashtu thekson paqartësi në aktivitete dhe kompetenca. Nëse nuk ka rregulla të qarta, procedura do të ketë anomali në sistem, shton studiuesi në fjalë.
“Në hulumtim vërehet se bëhet dallim mes asaj që paraqet ligjbërje dhe ndikim ligjor, sidomos për faktin se pushteti ekzekutiv dominon në agjendën ligjvënëse. Gjithnjë e më shumë vërejmë se parlamentet mblidhen nga ndikimet ligjvënëse dhe presioni i miratimit të ligjeve sesa nga krijimi i vërtetë burimor ligjvënës. Mbikëqyrja parlamentare do të thotë ndjekje, vlerësim dhe monitorim të Qeverisë, agjencive publike, në implementimin e politikave publike dhe ligjeve.”, - deklaroi profesori universitar, Denis Preshova.
Gashi: Rregullorja ka lëshime, duhej inkluzivitet
Në vetë rregulloren e punës hasen probleme dhe paqartësi, pranon kryeparlamentari, Afrim Gashi. Ai e sheh lëshim mospërfshirjen e ekspertëve dhe akademikëve në përgatitjen e Rregullores. Potencon nevojën e mbikëqyrjes së pushtetit ligjvënës ndaj ekzekutivit.
“Qytetarët presin që të përforcohet funksioni mbikëqyrës i Kuvendit. Duan të shohin trup, institucion që do ta realizojë mbikëqyrjen ndaj Qeverisë. Ky është mjeti i vetëm përmes të cilit qytetarët duke na zgjedhur neve, presin nga ne të bëjmë ndonjë lloj kontrolli dhe mbikëqyrje ndaj Qeverisë. Mendoj se duhet të punojmë të gjithë së bashku, dhe, ja le të jetë kjo pikë fillimi, që të hapim debat, t’i shohim problemet dhe më pas të kapemi në zgjidhjen e këtyre problemeve, që të kemi rregullore dhe rregullativë, që do ta sjellë Kuvendin në situatë për ta realizuar funksionin në një nivel më të mirë të mundshëm.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Këto komente u thanë në prezantimin e hulumtimit rreth mbikëqyrjes parlamentare në RMV dhe kapacitetit të Kuvendit, ku dhanë mendime profesorë, hulumtues, deputetë dhe ekspertë të fushës. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
