Maqedoni
“Qyteti i Sigurt”, sigurohen 2/3 e votave, BDI premton mbështetjen
20.01.2026 15:46
Koordinatorët e grupeve parlamentare janë drejt sigurimit të dy të tretave të votave për të miratuar ligjin për kundërvajtje...

Koordinatorët e grupeve parlamentare janë drejt sigurimit të dy të tretave të votave për të miratuar ligjin për kundërvajtje, duke përfshirë edhe sistemin “Qyteti i Sigurt”, nëse propozim-ligji vendoset në seancë plenare të premten. Nga takimet e zhvilluara brenda ligjvënësit, grupi parlamentar i BDI-së është shprehur se do të japë mbështetje, por kërkon që të merren parasysh kërkesat e tyre, sikurse përdorimi i gjuhës shqipe në komunikim me qytetarin shqiptar, shtrirja e sistemit në mbarë territorin, përshtatja e dënimeve dhe vendosja e sinjalistikës së duhur nëpër rrugë. BDI ka marrë konfirmim nga Ministria e Brendshme se do të përmbushin kërkesat në fjalë. Por, nëse të njëjtat nuk zbatohen në praktikë, Ajdari paralajmëron ndërhyrje në ligj.
“Na janë dhënë disa afate, p.sh. për përdorimin e gjuhës shqipe dhe për mesazhet të cilat do të vijnë në gjuhën shqipe diku deri nga maji, qershori. Na është premtuar nga ana e ministrit të Punëve të Brendshme se do ta rregullojnë dhe po ashtu që brenda këtij afati kohor do të implementohet i njëjti edhe në të gjithë territorin e vendit. Harmonizimi i shenjave të komunikacionit, po ashtu ishte një çështje me të cilën po merret MPB-ja dhe të cilën po e rregullojnë në terren.”, - theksoi koordinatorja e BDI-së, Rina Ajdari.
Jetësimi i “Qytetit të Sigurt” u vu ndër prioritetet e takimit të liderëve, duke marrë kryesisht mbështetjen e bllokut politik në pushtet. Koalicioni VLEN është pro sigurisë në trafik, por edhe ndëshkimit me rregulla. LSDM-ja opozitare gjithashtu, në mungesë të takimit, paralajmëron nismë që do të rishikonte gjobat, por edhe fatin e të dhënave të cilat do t’i gjenerojë sistemi.
MERAL ISMAILI
