Rajon

Forumi ekonomik botëror në Davos, Kurti mori pjesë në panelin në shtëpinë e ShBA-së

20.01.2026 15:53

Kurti ka marrë pjesë në një panel diskutimi të mbajtur në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës...

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në një panel diskutimi të mbajtur në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Davos, me temën “Besimi, Lidershipi dhe Amerika”. 
 
“Besimi shërben si shtyllë e shërbimit dhe unitetit në shoqëri dhe institucionet shtetërore, ndërsa optimizmi për të ardhmen varet nga përpjekjet dhe aktivizimi i vazhdueshëm i qytetarëve dhe udhëheqësve.”, ka thënë me këtë rast Kurti. 
 
Sipas tij, përpjekjet e vazhdueshme për përmirësim dhe bashkëpunim janë faktorë kyçë që ushqejnë shpresën dhe besimin për të ardhmen. Ndërsa në një bisedë me Rori Setëart OBE në Shtëpinë e Kosovës, kryeministri Kurti ka folur për qeverisjen e tij të deritanishme dhe planet ekonomike, politike e gjeostrategjike për të ardhmen.  
 
“Ne duhet të udhëheqim duke qenë shembull, asnjë, por asnjë nga kabineti qeveritar nuk mund të kenë as imagjinatën më të vogël të punojnë në mënyrë korruptive. Kosova është shtet i monitoruar edhe nga ndërkombëtarët edhe nga sistemi ynë. Unë besoj që llogaridhënia do të jetë në nivel.”, - deklaroi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. 
 
Kurti foli edhe për planet destabilizuese të Serbisë e Rusisë për Kosovën, duke specifikuar luftën hibride ruse gjatë fushatës së fundit zgjedhore. Ai tha se përgjigja më e mirë ndaj çdo sulmi shtetëror e hibrid është të pasurit njerëzit më profesionistë në Agjencinë e Inteligjencës, në mënyrë që reagimi të jetë në nivel. Paneli është pjesë e iniciativës së Forumit Ekonomik Botëror “Komuniteti i besimit në veprim”, i cili synon të nxisë reflektim dhe bashkëpunim ndërmjet liderëve nga e gjithë bota, me fokus në ndërtimin e partneriteteve inovative në fushat e mjedisit, ekonomisë dhe teknologjisë, si dhe në përshpejtimin e bashkëpunimit global në kontekstin aktual shoqëror. 
 
GYLTENE SINANI