Rajon
Shqipëria në Bordin e Paqes për Gazën, Rama: Është privilegj dhe nder
20.01.2026 16:10
Rama është angazhuar zyrtarisht për pranimin e ftesës që Shqipëria të jetë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën....

Përmes një letre drejtuar presidentit amerikan Donald Tramp, kryeministri Rama është angazhuar zyrtarisht për pranimin e ftesës që Shqipëria të jetë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën.
“Është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë.
Rama e sheh krijimin e Bordit të Paqes një domosdoshmëri në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë skenën ndërkombëtare.
“Paqja duhet të formësohet aktivisht, e jo të pritet pasivisht apo të diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësish çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kreu i Qeverisë shqiptare i ka përcjellë Trampit mirënjohjen për rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit edhe në rajonin e Ballkanit në momente kritike të historisë së përbashkët.
“Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ceremonia e nënshkrimit për krijimin e Bordit të Paqes do të mbahet në Davos më 22 janar. Mediat kanë zbuluar edhe shkresën që do të duhet të firmoset në qytetin zviceran, ku do të mësohen edhe anëtarët e bordit. Angazhimi i Shqipërisë, do të duhet të miratohet nga Parlamenti.
LULJETA NDOKA
