Botë
Aksident hekurudhor në Spanjë, 40 të plagosur
21.01.2026 10:10
Tjetër tragjedi hekurudhore është shënuar në Spanjë, dy ditë pas asaj të Andaluzisë...

Një tjetër aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur Spanjën, vetëm dy ditë pas përplasjes fatale mes dy trenave në jug të vendit. Një makinist ka humbur jetën dhe të paktën 37 persona janë plagosur, pesë prej tyre në gjendje të rëndë, pasi një tren urban i rrjetit Rodalies doli nga shinat pranë Barcelonës.
Sipas autoriteteve lokale, treni u përplas me një mur mbajtës. Autoritetet njoftuan se të gjithë pasagjerët janë evakuuar dhe se operacioni i kërkimit ka përfunduar pa gjetur viktima të tjera. Në vendngjarje u angazhuan 35 ekipe zjarrfikëse dhe 11 autoambulanca, ndërsa të plagosurit u transportuan në disa spitale të rajonit. Aksidenti ndodhi në një moment kur stuhitë e forta po godasin verilindjen e Spanjës, duke detyruar autoritetet të shpallin alarm të lartë për shkak të motit ekstrem. Si pasojë e këtyre incidenteve, shërbimet hekurudhore në Katalonjë janë pezulluar, duke lënë rreth 400 mijë udhëtarë pa transport. Ngjarjet e fundit kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë hekurudhore në Spanjë, vetëm pak ditë pas tragjedisë në Andalusi, ku humbën jetën mbi 40 persona.
