Maqedoni
PThPNKOK: Përveç Ristovit, nuk zbulohen të dyshuar të tjerë
21.01.2026 15:08
Hetimi për dyshimet korruptive të gjykatësit Gjoko Ristov ka nisur nga Gjykata e Apelit dhe është zhvilluar në mënyrë graduale...

Hetimi për dyshimet korruptive të gjykatësit Gjoko Ristov ka nisur nga Gjykata e Apelit dhe është zhvilluar në mënyrë graduale, duke u ndërtuar në formë mozaiku, ku janë përfshirë edhe dëshmi nga persona të ndikuar nga avokatë, njofton në brifing me gazetarët nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Në kuadër të hetimit janë analizuar edhe telefona të konfiskuar nga të burgosur, gjithashtu, janë evidentuar edhe biseda mes personave të burgosur, të cilat konsiderohen relevante për hetimin. Dyshimet lidhen me praktika korruptive që kanë nisur rreth 9 muaj deri në një vit më parë. Prokuroria bën të ditur se aktualisht nuk ekzistojnë prova direkte për pranimin e parave nga ana e gjyqtarit, pasi në raste të tilla transaksionet zakonisht realizohen përmes ndërmjetësve, gjë që e vështirëson sigurimin e provave të drejtpërdrejta. Në këtë fazë, gjykatësi Ristov e as avokati Fehmi Stafa nuk kanë qenë nën masa të posaçme hetimore, ndërsa ekzistojnë prova të tjera që po analizohen.
Prokurorja e rastit, Iskra Haxhivasileva, tha se janë kryer bastisje në tre lokacione, prona të të dyshuarit. Ndërkohë që në shtëpinë e prindërve të tyre në Negotinë, mjetet janë gjetur në bastisjen e dytë. Si pikë dyshim ka qenë shenja e ndërtimit të ri dhe pllaka të thyera që kanë asocuar që mund të fshihet diçka. Paratë janë gjetur, kryesisht në kartëmonedha prej 500 dhe 200 euro.
"U thyen pllakat ku dyshohej se mund të fshihet diçka, dëgjohej një tingull ndryshe kur po trokitej me dorë. Ne jemi të detyruar nga rregulloret të mos thyejmë ose të prishim. Kështu që u përpoqëm ta bënim sa më ngadalë që ishte e mundur. Por, me një thyerje të vogël, u shfaq një vrimë dhe paratë dolën përmes vrimës.".
Edhe pse avokati mbrojtës i gjykatësit Ristov kishte deklaruar se paratë u takojnë prindërve të tyre, nga Prokuroria theksojnë se provat e siguruara janë më kredibile sesa deklaratat e prindërve. Për momentin nga Prokuroria nuk ndajnë informacione për të dyshuar të tjerë në këtë lëndë. Lidhur me masat e sigurisë, Prokuroria sqaroi se i dyshuari ndodhet në pushim mjekësor aktiv, ndaj nuk është kërkuar paraburgim. Sipas tyre, masa e shqiptuar e arrestit shtëpiak është vlerësuar si e balancuar dhe proporcionale, duke lënë hapësirë që ajo të ndryshohet në varësi të zhvillimit të mëtejshëm të hetimit.
Ndërkohë, Shoqata e Gjyqtarëve këmbëngul në kryerjen e një hetimi të plotë, të saktë dhe transparent për rastin e gjyqtarit të paraburgosur të Gjykatës së Apelit në Shkup. Ata thonë se autoritetet kompetente duhet të përcaktojnë të gjitha faktet dhe rrethanat relevante, përfshirë mundësinë që individë të tjerë të kenë qenë të përfshirë në rast. Në këtë drejtim, Shoqata kërkon respekt dhe mbrojtje të plotë të reputacionit dhe dinjitetit të gjyqtarëve të ndershëm, si dhe përmbajtje nga përgjithësimet që dëmtojnë më tej besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor.
FLORIJE KAMBERI
