Maqedoni
RMV-ja e mbuluar nga bora, rrugët janë të kalueshme, por në kushte lagështie
21.01.2026 15:34
Kryeqendra e vendit këtë mëngjes ishte e mbuluar nga bora...

Kryeqendra e vendit këtë mëngjes ishte e mbuluar nga bora. Kjo ka bërë që të vështirësohet komunikacioni, sidomos në disa pjesë ku është shkaktuar ngricë. Por, kompetentët thonë se kanë angazhuar tërë makinerinë dhe të gjitha ekipet për të pastruar rrugët nga bora, si dhe hedhjen e kripës. Vëmendje e veçantë u është kushtuar rrugëve para çerdheve, shkollave dhe stacioneve të autobusëve. Për efikasitet më të madh janë angazhuar edhe punëtorët sezonalë.
“Gjatë natës deri në orët e mëngjesit, praktikisht kur filluan reshjet e borës ishte kujdesi preventiv për pikat kritike, ku janë harxhuar diku 35 tonelata kripë. Në 05:45 e ndoqëm gjendjen në qytet nëpërmjet Qendrës për Menaxhim dhe Kontroll të Komunikacionit filluan reshjet intensive. Të gjitha ekipet që i kemi të vendosura në punktet e kujdestarisë menjëherë reaguam dhe doli edhe shtabi i krizës për kontroll të ekipeve dhe shpërndarjen në pikat më kritike.”, - deklaroi drejtori i NP “Rrugë dhe rrugica”, Boris Nastov.
Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë” thonë se ekipet e tyre janë në terren dhe rrugët në vend janë të kalueshme, megjithëse komunikacioni zhvillohet në kushte lagështie.
“Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte lagështie, në disa pjesë me mbetje të shtresave të borës. Në pjesën perëndimore të vendit, ka ndalesa për mjetet e rënda transportuese në pjesët malore Gjavata, Preekë, Strazhë, aksin Mavrovë-Dibër dhe Qafë Thanë. Ekipet kujdestare të NP “Rrugët e Maqedonisë” janë vazhdimisht në terren për t’i mbajtur të gjitha akset rrugore të kalueshme.”, - theksoi Ivan Petrov nga NP “Rrugët e Maqedonisë”.
Pika kufitare Qafë Thanë ka qenë e bllokuar për dy orë, për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe është hapur vetëm pasi është pastruar bora.
VLORA LATIFI TOPOJANI
