Davos në hijen e Grenlandës, aleanca transatlantike përballë një prove serioze
Mosmarrëveshja për Grenlandën...

Mosmarrëveshja për Grenlandën është duke u shndërruar në një krizë serioze politike dhe sigurie mes ShBA-së dhe Evropës, duke ngritur pyetje të mëdha për të ardhmen e aleancës transatlantike.
Davosi është kthyer në skenën e një testi historik, teksa ajo që nisi si një debat territorial është përshkallëzuar në përplasje të hapura mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij më të afërt.
Presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, sulmoi politikisht Evropën, duke thënë se kontinentit i mungon drejtimi i duhur dhe se disa vende “nuk njihen më sot” në mënyrë pozitive.
“Grenlanda duhet të jetë pjesë e ShBA-së për arsye të sigurisë kombëtare, dhe nuk ka kthim mbrapa në këtë qëndrim. Politikat tona ekonomike , taksa, tarifa dhe përpjekjet për ta bërë ekonominë amerikane më konkurruese, mund të shërbejnë si model për vendet e tjera. Unë e dua shumë Evropën, por po shkon keq. Disa vende nuk njihen më sot, në një mënyrë shumë negative.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Shefi i NATO-s, Mark Rute, përpiqet të parandalojë shpërbërjen e Aleancës dhe pritet të takohet me Trampin në margjinat e forumit, në përpjekje për të ofruar alternativa për sigurinë e ishullit.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, para nisjes, tha se do të “mendojë diçka” që do t’i bëjë “shumë të kënaqura” si ShBA-në ashtu edhe NATO-ja. Presionet tregtare dhe kërcënimet e ShBA-së për tarifa të reja ndaj BE-së u dënuan ashpër nga aleatët evropianë, të cilët paralajmëruan se do të mbrojnë interesat e tyre.
“Pavarësia e Grenlandës nuk diskutohet dhe kërcënimet për tarifa shtesë janë një gabim. Ne i konsiderojmë njerëzit e ShBA-së jo vetëm si aleatë, por edhe si miq dhe shtyrja drejt një spiraleje rënëse do t’u shërbente vetëm kundërshtarëve tanë. Prandaj përgjigjja jonë do të jetë e vendosur, e bashkuar dhe proporcionale.”, - theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
“E drejta ndërkombëtare po shkelet, ku rregulli i vetëm që duket se vlen është ligji i më të fortit dhe ku ambiciet imperialiste po rikthehen. Evropa tani ka mjete shumë të forta dhe ne duhet t’i përdorim ato kur nuk respektohemi dhe kur rregullat e lojës nuk respektohen. Mekanizmi kundër shtrëngimit është një instrument i fuqishëm dhe nuk duhet të hezitojmë ta përdorim në këtë mjedis të vështirë.”, - u shpreh presidenti francez, Emanuel Makron.
“Jemi nën presion të madh. Mund të ndodhin dy gjëra: përballë presionit të jashtëm ose bashkohesh, ose shpërthen në çdo drejtim të mundshëm. Mendoj se Evropa ndodhet në një udhëkryq ku duhet të vendosë. Po kapërcehen kaq shumë vija të kuqe, sa që zgjedhja është mes vetërespektit dhe të qenit një vasal i lumtur ose një skllav i pakënaqur.”, - deklaroi kryeministri i Belgjikës, Bart de Vever.
Ministri amerikan i Financave, Skot Besent, minimizoi reagimet evropiane, duke theksuar se beson se Evropa do ta kuptojë dhe do ta mbështesë qëndrimin e Donald Trampit për Grenlandën, pasi të dëgjojë argumentet e tij.
Në anën tjetër, tensionet u thelluan edhe më shumë pasi Parlamenti Evropian, si kundërpërgjigje ndaj tarifave të shpallura nga ShBA-ja, vendosi të pezullojë marrëveshjen tregtare mes BE-së dhe ShBA-së, duke sinjalizuar një përplasje të re në marrëdhëniet transatlantike. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
