Maqedoni

Tetovë, bora vështirësoi lëvizjen në zonën e Malësisë

21.01.2026 15:58

Reshjet e fundit të borës kanë vështirësuar lëvizjen e banorëve të Malësisë së Tetovës....

Reshjet e fundit të borës kanë vështirësuar lëvizjen e banorëve të Malësisë së Tetovës. Banorët ankohen se rrugët nuk janë të pastruara si duhet dhe kërkojnë nga komuna e Tetovës të ketë kujdes të shtuar për këtë pjesë të Malësisë.
 
“A nuk e shihni, a të verbër jeni? Nuk kam pa ekskavator, shihet se është pa pastruar, pa kripë.”, - tha një banor.
 
“Siç e shihni vetë, gjendja nuk është shumë mirë. Po, me zinxhirë jemi, pasi jemi duke i bartur nxënësit e shkollave. Po, tash ka kaluar. Besoj se do të bëhet mirë.”, - u shpreh një banor.
 
“Kripë nuk ka për momentin, kamioni ka kaluar, por siç duket kripë nuk ka.”, - tha një banor.
 
Nga komuna e Tetovës thonë se të gjitha rrugët janë të kalueshme, por në kushte dimri. Sipas tyre, ekipet për pastrim dhe mirëmbajtjen e rrugëve janë në terren.
 
“Nëpër rrugët e qytetit dhe të Malësisë ekipet janë terren dhe po punohet për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës. Bëjmë apel deri tek banorët e Malësisë mos të lëvizin pa pajisje dimërore.”, - u shpreh zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili.
 
Ndërkohë, punëtorët e NPK-Tetovë, sot nga mëngjesi janë në terren për të pastruar trotuaret nëpër rrugët e qytetit dhe hapësirat publike në Tetovë.
 
VISAR SADIKI