Spanjë, tjetër aksident hekurudhor me trena, një i vdekur, 37 të plagosur, 5 në gjendje të rëndë

21.01.2026 16:30

Vetëm dy ditë pas aksidentit të rëndë hekurudhor në jug të Spanjës...

Vetëm dy ditë pas aksidentit të rëndë hekurudhor në jug të Spanjës, ku humbën jetën 42 persona, një tjetër tragjedi me tren ndodhi në këtë shtet, kësaj radhe në Katalonjë, pranë Barcelonës.

Një tren i linjës Rodalies, që qarkullonte midis Gelida-së dhe Sant Sadurní d’Anoia, doli nga shinat pasi u përplas me një mur-mbajtës, i cili ishte shembur mbi shina si pasojë e motit të keq dhe reshjeve të forta.

Në këtë aksident, drejtuesi i trenit humbi jetën, ndërsa 37 persona mbetën të plagosur, pesë prej tyre në gjendje të rëndë.

“Ajo që mund të them aktualisht është se pesë pasagjerë janë të plagosur rëndë. Njëri prej tyre ishte bllokuar keq në vagonin e shtypur nga përplasja. Duhej të bënim manovrime të ndryshme që ta lironim. Ishte një operacion kompleks.”, - deklaroi inspektori i zjarrfikësve nga Katalonia, Klaudio Gallardo.

Komiteti teknik i Qendrës Operative të Koordinimit të Katalonjës, u mblodh në selinë e Ministrisë së Brendshme dhe Sigurisë Publike për të monitoruar situatën emergjente.

“Ekziston një hipotezë fillestare se një rrëshqitje dheu mund të ketë shkaktuar shembjen e murit. Megjithatë, të gjitha informacionet duhet të verifikohen në kuadër të hetimit që ka nisur këtë mëngjes, me inspektim vizual nga Policia e Katalonjës dhe mbështetje teknologjike nga ekipet e dronëve.”, - theksoi ministrja e Brendshme e Katalonjës dhe Sigurisë Publike, Nuria Parlon.

Ndërkohë, ministrja për Territorin, Strehimin dhe Tranzicionin Ekologjik, njoftoi pezullimin e të gjitha shërbimeve hekurudhore lokale, rajonale dhe të distancës së mesme në të gjithë Katalonjën, deri në përfundimin e kontrolleve të sigurisë së infrastrukturës.

“Punimet e inspektimit janë ende në vazhdim. Në këtë kuadër, dëshirojmë t’ju informojmë se po vazhdojmë pezullimin e të gjitha shërbimeve hekurudhore lokale, rajonale dhe të distancës së mesme në Katalonjë, për sigurinë e përdoruesve dhe të punonjësve të Kompanisë Kombëtare të Hekurudhave të Spanjës.”, - u shpreh ministrja për Territorin, Strehimin dhe Tranzicionin Ekologjik, Silvia Paneque.

Aksidenti i fundit ka shtuar shqetësimet për sigurinë hekurudhore në Spanjë, duke ardhur vetëm pak ditë pas një prej tragjedive më të rënda me trena në historinë e fundit të vendit. Autoritetet kanë nisur hetime të thelluara për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)