FSSh-ja dhe Ministria e Transformimit Digjital prezantuan katër shërbime në favor të qytetarëve

22.01.2026 14:35

Fondi për Sigurim Shëndetësor në bashkëpunim...

Fondi për Sigurim Shëndetësor në bashkëpunim me Ministrinë e Transformimit Digjital kanë prezantuar katër shërbime të reja elektronike të disponueshme përmes portalit uslugi.gov.mk. Qëllimi i këtyre shërbimeve është të eliminohet plotësisht barra administrative për qytetarët dhe kompanitë.

“Bëhet fjalë për shërbime që e thjeshtësojnë qasjen deri tek dokumente të rëndësishme, ulin barrën administrative për institucionet dhe qytetarët dhe ulin pritjen e panevojshme dhe praninë fizike në sportele. Për personat juridikë për herë të parë do të jepet vërtetim për kontributet e paguara për sigurim shëndetësor, ndërsa për personat fizikë ka tre shërbime elektronike, vërtetim për sigurim shëndetësor, vërtetim për sigurim dhe kontribute të paguara dhe vërtetim për pagesën e rrogës gjatë ndërprerjes së përkohshme të punës. Këto shërbime janë vetëm fillimi i transformimit digjital në këtë sektor.”, - deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.

“Vendosja e shërbimeve në portalin e.uslugi  është e mundësuar me lidhjen e të dhënave mes  Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Ministrisë së Transformimit Digjital. Megjithatë, ne besojmë se çelësi është te koordinimi dhe lidhja. Qëllimi ynë është që sa më shumë qytetarë të jenë shfrytëzues në këto shërbime, sepse vetëm në këtë mënyrë do të  kenë qasje më te lehtë dhe më efikase. Ne jemi të lidhur gjithashtu edhe me Agjencinë e Punësimit, Zyrën e Regjistrimit Civil dhe Ministrinë e Politikave Sociale.”, - theksoi Sasho Klekovski nga FSSh.

Për më tepër, FSSh-ja tani është e lidhur teknikisht me Regjistrin Qendror të Popullsisë, që lejon shkarkimin automatik të të dhënave përkatëse për qytetarët. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)