Kinë, fundoset në Jangce anija me 458 udhëtarë
Një anije me 458 persona në bord është mbytur pas një stuhie në lumin Jance, në jug të vendit...

Kapiteni i anijes dhe kryeinxhinieri, që ishin në mesin e të shpëtuarve, kanë thënë se "shkak i mbytjes së anijes ishte cikloni, ndërsa fundosja ishte e shpejtë". “Erërat e forta dhe reshjet e dendura të shiut, që ende janë duke vazhduar, po pengojnë operacionin e shpëtimit”- thanë autoritetet vendase.
Anija ishte nisur nga qyteti lindor i Nanjing dhe do të mbërrinte në qytetin Chongqing, në jugperëndim të vendit. Të afërmit i janë drejtuar agjencisë pronare të tragetit, por atje nuk i ka pritur askush dhe kjo i ka revoltuar të afërmit.
“Qeveria duhet t’i gjejë punonjësit e agjencisë, si mund të ikin ata? Kanë lënë vetëm numrin e telefonit të menaxherit, por askush nuk lajmërohet. Dikush duhet të dalë të na tregojë çfarë ndodhi”- tha një qytetar.
“Këtu nuk ka njeri, nuk kemi me kë të flasim”- theksoi një qytetar.
“Jam i nevrikosur, e këta kanë lënë vetëm një shënim në derë. Nuk e dimë nëse të afërmit tanë janë gjallë apo vdekur”- tha një qytetar.
Mësohet se në bordin e anijes “Eastern Star” ndodheshin 405 pasagjerë, të gjithë kinezë, 5 punonjës të agjencive të udhëtimit dhe 47 pjesëtarë të ekuipazhit. (Gyltene Sinani, TVM2)
