Osmani në Davos: Kosova, pjesë e Bordit të Paqes

22.01.2026 15:07

Kosova do të jetë pjesë e Bordit të Paqes...

Kosova do të jetë pjesë e Bordit të Paqes të iniciuar nga presidenti amerikan Donald Tramp. Presidentja Vjosa Osmani e firmosi rezolutën në një ceremoni në Davos të Zvicrës, ku pati edhe një shtrëngim duarsh dhe një bashkëbisedim të shkurtër me presidentin amerikan Tramp.

Bordi i Paqes është organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga Trampi, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës.

Kurti në Davos, pjesëmarrës në disa panele dhe takime

Në Davos ndodhet edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka marr pjesë në disa panele dhe takime, me ç’rast, siç ka thënë në një prononcim për RTK-në, partnerëve ndërkombëtarë dhe atyre potencialë u ka prezantuar mundësitë për investime në Kosovë.

“Ne të gjithë partnerëve ndërkombëtarë dhe partnerëve të mundshëm ndërkombëtarë u tregojmë mundësitë për investime në Kosovë, prej faktit që atje do të kemi një qeveri që është partnere, jo vetëm një treg apo vetëm një platformë për prodhimtari të lirë, por edhe një shtet me politika fiskale të favorshme dhe me mundësi për të angazhuar të rinjtë tanë, të cilët janë energjikë, të talentuar dhe shumëgjuhësh, pra flasin shumë gjuhë të huaja. Është një shans unik për të krijuar degët e tyre si biznese në vendin tonë, që është në zemër të këtij rajoni, që po quhet në mënyrë të popullarizuar EMENA apo Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika veriore.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti njëherësh falënderoi ndërmarrësit nga mërgata, të cilët, siç tha ai, kanë kontribuar shumë që të ketë shumë mysafirë nga e gjithë bota në Shtëpinë e Kosovës në Davos. (Gyltene Sinani, TVM2)