Maqedoni

Rasti me gjykatësin Ristov, mbrojtja ankimon arrestin shtëpiak

22.01.2026 15:24

Mbrojtja e gjykatësit të dyshuar, Gjoko Ristov, ka parashtruar ankesë në Gjykatën Penale...

Mbrojtja e gjykatësit të dyshuar, Gjoko Ristov, ka parashtruar ankesë në Gjykatën Penale, për shkak të caktimit të masës së arrestit shtëpiak. Përderisa mbrojtja ankimon arrestin shtëpiak nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk përjashtojnë mundësinë e ndryshimit të propozimit, duke lënë hapësirë që ajo të ndryshohet në varësi të zhvillimit të mëtejshëm të hetimit.
 
Ndërkohë, nga Gjykata e Apelit në Shkup, prej ku vjen gjykatësi Ristov, theksojnë se ky rast nuk do të ndikojë në punën e gjykatësve që pa ndërprerë po e kryejnë punën e tyre dhe në periudhën e kaluar kanë zgjedhur mbi 13 mijë raste. Sa i përket lëndëve me të cilat ka punuar gjykatësi, njoftojnë se të njëjtat do të shpërndahen te gjykatësit e tjerë sipas sistemit AKMIS.
 
"Rasti me gjykatësin Gjoko Ristov nuk do të ndikojë në punën e rregullt të Gjykatës së Apelit në Shkup, i cili vazhdon në mënyrë të përkushtuar që t’i kryejë obligimet ligjore. Në këtë fazë të procedurës vlerësojmë se parimisht duhet të respektohet prezumimi i pafajësisë si parim kushtetues dhe themelor për sundimin e ligjit dhe shtetit ligjor. Sipas rregullores gjyqësore, në rastin kur një gjykatës është larguar përkohësisht nga kryerja e funksionit të gjykatësit, siç është rasti me gjykatësin Gjoko Ristov, lëndët që i janë dhënë dhe që kanë mbetur pa u punuar në momentin e largimit të tij nga vendi i punës, sipas sistemit AKMIS, lëndët u shpërndahen në mënyrë automatike gjykatësve të tjerë, të cilët veprojnë në pjesën penale të gjykatës.".
 
Gjykata e Apelit: Rasti nuk do të ndikojë në punën e gjykatës
 
Sipas Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dyshimet ndaj gjykatësit Ristov lidhen me praktika korruptive që kanë nisur rreth 9 muaj deri në një vit më parë. Për momentin nga Prokuroria nuk ndajnë informacione për përfshirje të të dyshuarve të tjerë në këtë lëndë.
 
FLORIJE KAMBERI