Maqedoni
BDI dhe VLEN, përplasje rreth korrupsionit
22.01.2026 15:41
BDI ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me raportin e fundit...

BDI ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me raportin e fundit të Transparency International, ku Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie prej 12 vendeve në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Nga BDI vlerësojnë se korrupsioni në vend po thellohet dhe po shndërrohet në normë.
“Sipas raportit më të fundit të Transparency International, Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie prej 12 vendeve në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2024, duke u renditur në vendin 88 nga 180 shtete, me vetëm 40 pikë. Kjo rënie drastike është tregues i qartë i humbjes së besimit publik dhe ndërkombëtar ndaj institucioneve shtetërore. Si opozitë vlerësojmë se kjo qeveri jo vetëm që ka dështuar të luftojë korrupsionin, por me veprimet e saj e ka normalizuar atë. Alarmante janë edhe të dhënat nga Fakulteti i Sigurisë, sipas të cilave çdo i treti qytetar ose një anëtar i afërt i familjes së tij ka pasur kontakt me një zyrtar të korruptuar. Ky fakt nuk është më vetëm çështje morale apo administrative, por, siç u theksua edhe nga ekspertët, korrupsioni sistemik përbën kërcënim serioz për sigurinë e shtetit, pasi paralizon institucionet dhe minon funksionimin e rendit demokratik.”, thonë nga BDI.
Ndaj reagimit të BDI-së kanë reaguar nga koalicioni VLEN prej ku vlerësojnë se është hipokrizi dhe ironi kur BDI/AKI flet për korrupsion.
“Është ironi e pastër që BDI/AKI flet për korrupsion. Për një moment menduam mos ua ka thyer dikush faqen, sepse është e pabesueshme që pikërisht partia që e çoi Maqedoninë e Veriut në pozitat më të ulëta historike në Transparency International sot del të na japë leksione. Partia me disa persona non grata për korrupsion sot mban ligjërata për Transparency International. Nëse BDI ka harruar, opinioni nuk ka pse harron. Në kohën e tyre vendi zbriste deri në pozitat 104-111 dhe flitej hapur për kapje shteti, për një sistem ku korrupsioni u bë kulturë qeverisjeje. Produkt i qeverisjes së tyre është Gjoko Ristov, i kapur me 350 mijë euro. Produkt i BDI-së është edhe Enver Bexheti, non grata, gjykatësi që me urdhër të Artan Grubit hapte dyer e mbyllte dosje, deri sa e nxori Sasho Mijallkovin nga burgu me para. Korrupsioni nuk po lind sot. Por, sot vetëm po çahet ombrella që i mbante të paprekshëm. Dhe sa më shumë të dalin këto fakte, aq më shumë do ta kuptojë opinioni pse BDI ka nevojë të bërtasë dhe të mbetet në opozitë.”, - theksojnë nga koalicioni VLEN.
Kanë reaguar edhe nga ASh-ja e Arben Taravarit, nga e cila vlerësojnë se rënia e Maqedonisë së Veriut në Indeksin e Korrupsionit është alarm serioz institucional.
