Maqedoni
Përplasje politike, Filipçe: Pushteti defokuson me lajme të rreme
22.01.2026 15:58
Vazhdojnë përplasjet dhe akuzat e ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës...

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, akuzoi pushtetin për fushatë të organizuar dezinformimi dhe linçimi ndaj opozitës, me qëllim defokusimin e opinionit nga korrupsioni dhe aferat milionëshe.
Ai tha se sulmet janë intensifikuar pas hapjes së çështjeve, si marrëveshja për migrantët, tenderët dhe lidhjet mediatike të VMRO-së.
“Ajo që është e rëndësishme që qytetarët ta dinë është se, ndërkohë që publikohen lajme të rreme, në prapaskenë po ndodh vjedhje. Ndërsa ne merremi me lajme të rreme, afera të sajuara për “Zhan Mitrevin”, kullat etj., paralelisht me këtë, Mickoski në një takim në Davos, përmes një kompanie ndërmjetëse, po negocion për migrantë. Kështu funksionon kjo, qentë le të lehin, karvani ecën përpara.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
VMRO: Dyshime për keqpërdorime nga Filipçe
VMRO-DPMNE ka vazhduar akuzat ndaj kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, për dyshime mbi keqpërdorim të pushtetit në rastin e Klinikës “Zhan Mitrev”, duke pretenduar se gjatë mandatit të tij si ministër i Shëndetësisë, buxheti i klinikës është rritur ndjeshëm, çka sipas tyre, ngre dyshime për favorizim.
“Filipçe në vend që të merrej me shqetësimet e qytetarëve, është marrë me atë se cilën spital të marrë nën kontroll, se si ta detyrojë pronarin duke i ofruar ndihmë për një procedurë gjyqësore, gjë që tregon për një ndikim të plotë mbi sistemin. Prej vitesh dëgjojmë për apetitet e miqve Zaev dhe Filipçe edhe ndaj sektorit privat të shëndetësisë. Pa dyshim që Prokuroria Publike ka shumë punë për të bërë.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE i bëjnë thirrje Prokurorisë, që të veprojë në lidhje me këtë rast.
ERSAN PAJAZITI
