Maqedoni

Rasti "Onkologjia 1", vazhdon dëgjimi i dëshmitarëve të Prokurorisë

22.01.2026 16:15

Gjykimi për rastin "Onkologjia 1" vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve...

Gjykimi për rastin "Onkologjia 1" vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga ana e Prokurorisë. Nga dëshmitarët në seancë u dëgjuan përvoja me pacientët onkologjikë, që janë mjekuar nga i akuzuari i parë, Nino Vasev.
 
Dy nga dëshmitarët e dëgjuar njoftuan kërkesë për dëmshpërblim dhe iu bashkuan ndjekjes penale, ndërsa njëri tha se nuk po kërkon dëmshpërblim dhe as nuk i bashkohet ndjekjes penale, duke theksuar se është madje mirënjohës ndaj Dr. Nino Vasev. 
 
"Pas analizave të bëra në Turqi u kthyem në Maqedoni me të gjitha diagnozat dhe terapinë që duhej të merrnim. Kontaktuam Dr. Ninon, ai na pa dhe tha se mund të na jepte atë terapi neve edhe këtu. Tha se mund të fillonim terapinë menjëherë.", - tha një dëshmitar.
 
"Kur filloi trajtimin në tetor, ai filloi edhe kimioterapinë dhe imunoterapinë. Kjo zgjati deri në dhjetor, pastaj ai kaloi në rrezatim në janar, pas së cilës vazhdoi të merrte trajtim deri në qershor-korrik 2022. Ndërsa muajt kalonin, ai dobësohej gjithnjë e më shumë. Përveç rasteve kur iu nënshtrua rrezatimeve në tru dhe një infuzion në tru, ai u përmirësua.", - tha një dëshmitar tjetër.
 
"Mendimi im personal është se jeta e saj do të kishte mbaruar shumë më shpejt nëse do të kishte vazhduar të merrte trajtim si më parë. Unë nuk po i bashkohem ndjekjes penale, përkundrazi.", - u shpreh një dëshmitar.
 
Seanca e radhës është më 9 shkurt, kur, siç është njoftuar, do të fillojë seanca dëgjimore e ekspertëve nga Sllovenia, të cilët kryen ekzaminime mjekësore për Prokurorinë.
 
Ndërkohë, në fund të muajit mars duhet të fillojë marrja në pyetje e një eksperti nga Serbia. Ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev, së bashku me dy onkologë të tjerë, Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, punonjës të Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup, akuzohen për trajtim neglizhent të pacientëve.
 
FLORIJE KAMBERI