Testimi ekstern, deri më 10 qershor testohen 183 mijë e 280 nxënës

02.06.2015 15:11

Prej sot e deri më 10 qershor do të zbatohet testimi ekstern për vitin shkollor 2014-2015 dhe do të testohen nxënësit, duke filluar nga klasa e katërt deri në vitin e tretë të arsimit të mesëm...

Testimi po realizohet edhe në Shkollën e Mesme “Arseni Jovkov”, ku drejtuesit e shkollës thonë se testimi ka filluar në kohë dhe nuk janë regjistruar pengesa teknike.

“Pakënaqësi nga ana e nxënësve dhe ankesa nuk ka pasur dhe duhet të theksohet se prej sivjet nuk do të ketë dënime për profesorët për mbarëvajtjen e testimit ekstern”- deklaroi drejtori i shkollës “Arseni Jovkov”, Nazmi Rramani.

Ndërkohë, testatorët dhe nxënësit thonë se ka pasur pyetje që nuk janë hasur në material në dy lëndë, por parregullsi të tjera që do të kishin ndikim në mbarëvajtjen e testit nuk janë evidentuar.

“Nxënësit të cilët kanë dalë nga provimet thanë që në disa lëndë pyetjet janë të përziera në afarizëm dhe lëndën e biznesit  me pyetje nga gjimnazi dhe nuk kanë hasur në ato pyetje që ka lëshuar Ministria”- deklaroi testatorja, Hanëmsha Miftari.

“Pyetjet ishin nga materiali, por kishte disa që nuk ishin në material, ishin jo të përshtatura me mësimet e marra gjatë vitit shkollor, gjatë një viti”- theksoi një nxënës.

“Testi ka qenë i lehtë, nuk ka pasur shumë gabime, varet në çfarë lëndë, ka qenë i lehtë dhe ka rrjedh mirë”- theksoi një nxënës.

Nxënësit të cilët kanë evidentuar parregullsi në testimin ekstern  mund të paraqesin ankesa deri tek Qendra Shtetërore e Provimeve. Me testimin ekstern do të përfshihen 183 mijë e 280 nxënës dhe 17 mijë e 803 mësimdhënës nga shkollat fillore dhe të mesme. (Flutura Latifi, TVM2)