Botë
Rrëshqitje dheu në Zelandën e Re, zhduken disa persona nga shembjet e tokës
22.01.2026 16:58
Shirat e rrëmbyeshëm në Zelandën e Re kanë shkaktuar një rrëshqitje shkatërrimtare dheu...

Shirat e rrëmbyeshëm në Zelandën e Re kanë shkaktuar një rrëshqitje shkatërrimtare dheu, që ka goditur një vend kampingu në Ishullin e Veriut, duke lënë disa persona të zhdukur. Masa të mëdha dheu dhe pemë u shembën mbi zonën e pishinave, duke zënë njerëzit nën baltë.
Ekipet e shpëtimit me helikopterë, makina gërmimi dhe qentë nuhatës kërkojnë njerëz të gjallë, por rrëshqitjet e vazhdueshme të dheut vështirësojnë operacionet. Në orët e para pas katastrofës, janë dëgjuar britma dhe zëra nën rrënoja, por më pas heshtja ka mbuluar zonën.
Autoritetet konfirmojnë se numri i viktimave është njëshifror, ndërsa frika për më shumë të zhdukur mbetet e lartë. Ngjarje të tjera tragjike nga përmbytjet dhe rrëshqitjet janë raportuar në zona të afërta.
"Mund të konfirmoj se numri i viktimave është njëshifror, por ky numër mund të rritet. Është shumë herët për të spekuluar, rrëshqitja e dheut u shemb mbi pishinat në pjesën e pasme të parkut dhe nuk dimë ende sa persona ndodheshin aty.", - deklaroi oficeri i Policisë së Zelandës së Re, Tim Anderson.
"Po notoja në pishinë kur dëgjova një pemë të përplasej dhe toka pas meje u ça e tëra, pemët po shkuleshin. Shikova dhe pashë një rrëshqitje të madhe dheu që binte. Ishte gjëja më e tmerrshme që kam përjetuar ndonjëherë.", - u shpreh alpinisti, Soni Uorrall.
Një rrëshqitje tjetër ka goditur një shtëpi në Uellkëm Bej, ku dy persona janë zhdukur pasi u kapën nga dheu, ndërsa në veri një burrë është rrëmbyer nga ujërat e përmbytjes.
Zyrtarët e Qeverisë dhe kryeministri Kristofer Laksen, kanë premtuar mbështetje maksimale për komunitetet e prekura dhe kanë bërë apel që njerëzit të respektojnë zonat e rrezikut dhe të mos shkojnë atje, sidomos në periudha pas shiut, kur toka është e lagët dhe mundësitë për rrëshqitje janë të mëdha.
FARIJE DAUTI BAKIU
