Botë

Bisedime mes ShBA-së dhe NATO-s, Trampi njofton marrëveshje për Grenlandën

22.01.2026 17:20

Presidenti amerikan ka hequr dorë nga vendosja e tarifave doganore ndaj Evropës...

Presidenti amerikan ka hequr dorë nga vendosja e tarifave doganore ndaj Evropës, si dhe nga ideja e marrjes së plotë të Grenlandës. Ai njoftoi arritjen e një marrëveshjeje për zgjidhjen e mosmarrëveshjes rreth territorit danez, duke shmangur kështu një krizë në marrëdhëniet transatlantike.
 
Trampi zbuloi se ka zhvilluar një plan kornizë me NATO-n për sigurinë e Arktikut, në interes të ShBA-së dhe vendeve të tjera të aleancës. Detajet ende janë në fazë finalizimi.
 
“Është një marrëveshje që njerëzit e kanë pritur me padurim, vërtet fantastike për Shtetet e Bashkuara. Ajo na jep gjithçka që kemi dashur, përfshirë sigurinë e vërtetë kombëtare dhe ndërkombëtare. Do të publikohet së shpejti. Ende është në proces, por ka përparuar ndjeshëm. Është një marrëveshje afatgjatë që i vendos të gjithë në një pozitë shumë të mirë, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurinë, mineralet dhe gjithçka tjetër.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Kreu i NATO-s, Mark Rute, tha se bisedimet me Trampin janë përqendruar në mbrojtjen e Arktikut dhe jo në statusin politik të Grenlandës, duke shtuar se ka ende shumë punë për t’u bërë.
 
“Ramë dakord të shqyrtojmë dhe të punojmë se si NATO-ja, në mënyrë kolektive, mund të kontribuojë për të siguruar që i gjithë rajoni i Arktikut të jetë i mbrojtur, përfshirë Grenlandën. Ka shumë punë për t’u bërë që të garantojmë gjithçka që nevojitet në tokë, në det dhe në ajër, për të mbrojtur atë pjesë të rëndësishme të botës dhe territorit të NATO-s.”, - theksoi kreu i NATO-s, Mark Rute.
 
Danimarka e përshëndeti ndryshimin e retorikës nga ana e ShBA-së dhe njoftimin se Grenlanda nuk do të merret me forcë.
 
“Po krijohet një shpresë e vogël që të kthehemi te ajo që kemi dëshiruar, pra që kjo çështje të mos trajtohet si diçka për t’u debatuar para kamerave televizive apo në rrjetet sociale, por si një temë për t’u diskutuar në mënyrë serioze, në një sallë takimesh të ndriçuar mirë.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Loke Rasmusen.
 
Edhe pse Trampi ofroi pak detaje mbi marrëveshjen, një nga idetë që vendet anëtare të NATO-s kanë diskutuar si pjesë e kompromisit me Trampin është bashkëpunimi i Danimarkës dhe aleancës me ShBA-në për ndërtimin e më shumë bazave ushtarake amerikane në Grenlandë.
 
Një pjesë e kornizës së mundshme mund të përfshijë edhe ndryshime në marrëveshjen e vitit 1951, e cila formalizoi praninë ushtarake amerikane në ishull. Ndërkohë, në Bruksel mbahet një samit i jashtëzakonshëm i BE-së, ku janë duke u përcaktuar qëndrimet pas ndryshimit të kursit të Uashingtonit.
 
FARIJE DAUTI BAKIU